Ylli botëror i muzikës, Rita Ora, ka bërë të ditur se do të shërbejë si anëtare e jurisë në shoun e ardhshëm “The Masked Singer” në Amerikë. Ajo e zëvendëson këngëtaren Nicole Scherzinger në edicionin e 11-të të emisionit shumë të pëlqyer televiziv.
“Jemi mirënjohës që do ta kemi Rita Orën pjesë të panelit të jurisë së shout ‘The Masked Singer’, për sezonin e 11-të!”, thuhej në njoftimin e publikuar në Instagram.
32-vjeçarja me prejardhje kosovare po ashtu e ndau lajmin me ndjekësit e saj në rrjetet sociale, me ç’rast u shpreh jashtëzakonisht e entuziazmuar.
“Shumë e lumtur që sekreti më në fund doli në shesh. Po i bashkohem ekipit të ‘The Masked Singer’ në Amerikë. Mezi prej të provoj ta gjej se kush fshihet prapa maskës, së bashku me anëtarët e tjerë të jurisë”, shkroi Ora.
Lajmi për përfshirjen e yllit të hitit “I Will Never Let You Down” në shoun muzikor, vjen pak kohë pasi u bë publike se ish-anëtarja, Nicole Scherzinger, po i bashkohej kastës së “Sunset Boulevard” në West End të Londrës. Shfaqja muzikore e kompozitorit, Andrew Lloyd Webber, do të inskenohet më 20 shtator në teatrin “Savoy” dhe do të jetë në repertor deri më 4 janar të vitit të ardhshëm. Prandaj, televizioni Fox e ka përzgjedhur Ritën për ta zëvendësuar atë në “The Masked Singer”, deri sa të kthehet në SHBA.
Roli i jurisë në garën e cila përcjellët me shumë humor nuk është përvojë e re për Orën, në të kaluarën ajo ka qenë pjesë e panelit në shoun “The Masked Singer” në Britani të Madhe për katër sezone rresht. Ajo po ashtu shquhet si anëtare e jurisë së emisioneve, “The Voice: Australia”, “The X Factor UK” dhe “America’s Next Top Model”.
Sezoni i 10-të i “The Masked Singer, me jurinë në përbërje të Nicole Scherzinger, Robin Thicke, Ken Jeong dhe Jenny McCarthy, krahas prezantuesit të shout, Nick Cannon, fillon transmetimin në Fox nga 27 shtatori.