Shpat Deda së fundmi ka nisur një iniciativë sa i përket martesave të gjinisë së njëjtë.
Këngëtari i cili gëzon një simpati të veçantë për muzikën që ai bën, kësaj radhe ka bërë një postim në llogarinë e tij në Instagram sa i përket martesave të gjinisë së njëjtë, shkruan Gazeta Online Reproteri.net.
Kjo kërkesë madje do të dorëzohet edhe në Kuvendin e Kosovës, andaj edhe po kërkohet përkrahje.
“Dje, më 20 janar 2022, mbi 60 organizata të shoqërisë civile, individë dhe aktiviste/ë i janë bashkangjitur procesit afatgjatë të avokimit për rregullimin e martesës për personat e seksit të njëjtë në Draft Kodin Civil. Organizatat, individët dhe aktivistet/ët pjesëmarrës, në shenjë mbështetjeje të këtij procesi, dje nënshkruan letrën e cila ende po qarkullon për përkrahje dhe nënshkrime. E njëjta, në ditët e ardhshme do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, Deputetëve dhe Komisioneve Parlamentare, për rregullimin e martesës për personat e seksit të njëjtë në Projekt Kodin Civil. Aktualisht, Draft Kodi Civil nuk i ka përfshirë kërkesat për përdorimin e gjuhës neutrale në rregullimin e martesës, duke vazhduar trajtimin përjashtues ndaj komunitetit LGBTIQ+. Ftojmë të gjitha organizatat, individët dhe aktivistet/ët që punojnë dhe veprojnë për jetësimin e të drejtave të njeriut, pa përjashtime, që besojnë në parimet e barazisë, mosdiskriminimit, të drejtën për privatësi, të drejtën për krijimin e familjes, që t’i bashkohen organizatave dhe akzivisteve/ëve në përkrahje të letrës”, thuhet në postimin e bërë, e që do i drejtohet Kuvendit të Kosovës.
“Pro martesave mes seksit të njëjtë në Kosovë, bashkohu me letrën përkrahëse”, ka shkruar Shpat Deda./Reporteri.net/