Një operacion i madh anti-drogës dy ditë më parë, i koduar me emrin “Qielli i Thyer” rezultoi me arrestimin e 22 personave, ku në mesin e tyre ishte edhe Shemsi Bahtiri, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, i njohur edhe si “Bosi i grupit” të të arrestuarve për narkotikë.
Lidhur me të, ka folur së fundmi reperi Stresi i cili ka thënë se me të njihen familjarisht, ndërsa u shpreh i shokuar me lajmin.
“Në radhë të parë, ne njihemi familjarisht me familjen Bahtiri. Nana e baba shkojnë për gëzime familjare, për gjithçka. Na shokoi ai lajm sepse ne e njohim xhaxhin Shemsi çfarë njeriu është,” deklaroi për emisionin “Kosova Today”.
Stresi shtoi se akuzat ndaj Shemsi Bahtirit janë të pabazuara dhe kanë të bëjnë me djalin e tij, Brilantin.
“Krejt çka janë qato akuza ndaj zotnisë janë krejt shkaku i djalit të vet. Edhe nëse Shemsi Bahtiri ka pasur sikur thirret akuza Sky e… e çka janë këta telefonat e enkriptuar apo krejt çka ju kanë ngrit xhaxhit Shemsi – vallahi bëjë burgun unë për të nëse ka një gabim,” ka thënë Stresi.
Ai ka bërë akuza edhe ndaj një pjesëtari të Policisë së Kosovës, duke pretenduar se ekziston një konflikt personal me Brilant Bahtirin që zgjat prej më shumë se një dekade.
“Unë ju garantoj se këtu është një polic i anti-drogës që e ka 13 vjet që është me Brilantin në konflikt. Ka 13 vite që djalin e përndjekin, mundohen gjithqysh me e kap,” deklaroi ai.
Sipas tij, gjatë bastisjeve të kryera në gjashtë lokacione, nuk është gjetur asnjë dëshmi që do të mbështeste akuzat ndaj Shemsi Bahtirit.
“Kur kanë shku me bastis shtëpinë e xhaxhit Shemsi, kanë pyet ku është djali. Kanë bastisur 6 lokacione dhe nuk kanë gjetë sen. Edhe akuza që iu është ngrit është që i ka thënë djali ‘hajde merri qeto pare’, se e ka djalë me nimu familjen e vet,” u shpreh ai.
Për Bahtirin, konfirmoi dje edhe Lëvizje Vetëvendosje se ka qenë aktivist i kësaj partie, dhe se tashmë është përjashtuar deri në zbardhjen e rastit.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 të arrestuarve lidhur me rastin e drogës.
Operacioni “Qielli i thyer”, një muaj paraburgim ndaj 22 të dyshuarve për drogë