Stilisti Alber Elbaz, i cili ka punuar në disa nga shtëpitë më të njohura të modës në Francë, ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare në Paris.
Partneri i tij i biznesit Johann Rupert tha se Elbaz ndërroi jetë nga Covid. Rupert vlerësoi “vizionin gjithëpërfshirës të modës” të Elbaz.
Që prej vitit 2001, Elbaz ishte drejtor artistik në Lanvin, ku u vlerësua për rinovimin e markës, derisa u shkarkua në 2015-n. Kohët e fundit, lançoi labelin e tij, AZ Factory.
I lindur në Marok dhe i rritur në Izrael, Elbaz shkoi në New York për të filluar karrierën në fushën e modës, ku fillimisht punoi për stilistin Geoffrey Beene. Në vitin 1996, ai u transferua në Paris për të drejtuar Guy Laroche. Elbaz u zgjodh nga Yves Saint Laurent për të marrë përgjegjësinë për markën Rive Gauche, por u shkarkua pasi kompania u mor nga Gucci në vitin 1999.
Kur Elbaz mori në drejtim Lanvin, ajo ishte një shtëpi e vogël mode e përqendruar kryesisht te veshjet për burra. Elbaz ringjalli Lanvin dhe e transformoi atë për t’u përqëndruar kryesisht në modën e grave. Veshjet e tij u vlerësuan gjerësisht për mënyrën se si gratë ndiheshin me to.
Fustanet e Elbaz u favorizuan nga aktoret e Hollywood-it, përfshirë Natalie Portman. Meryl Streep veshi një nga fustanet e dizajnerit kur mori Oscar për portretizimin e Margaret Thatcher në “The Iron Lady” në 2012.
“Veshjet e Alberit për Lanvin janë të vetmet që kur i vesh, ndjehem si vetja, apo edhe një version më i mirë i saj,” tha Streep në vitin 2015.
Në një intervistë në 2014-n, Elbaz tha se vizioni i tij ishte “t’ua lehtësonte punën grave”.
Për karrierën e tij, Elbaz u vlerësua me disa nga çmimet më prestigjioze të fushës. Në vitin 2016, u bë anëtar i Legjionit të Nderit në Francë, çmimi më prestigjioz i vendit.