×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Basha e përjashtoi Berishën pasi SHBA e shpalli non-grata: Partneriteti i PD-së me shtetin amerikan është i pacenueshëm

    Reporteri
    09 Shtator 2021 | 21:37

    Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha në një adresim për media ka njoftuar se Sali Berisha, themelues i kësaj partie nuk do të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të PD-së.


    Siç duket vendimi ka të bëjë edhe me shpalljen person non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në këtë adresim Basha ka theksuar se partneriteti i PD=së me SHBA-në është i pacenueshëm.

    “Partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i pacënueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë, në interes të demokratëve, në interes të së ardhmes së Shqipërisë. Me përkrahjen e SHBA, PD ka siguruar arritjet më të rëndësishme të saj në qeverisjen e vendit, nga të cilat kanë përfituar qytetarët shqiptarë. Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë.”, u shpreh ai.

    Ai tha se shpallja non-grata nga SHBA e Berishës ka qenë një nga momentet më të vështira të tij.

    “Të gjithëve bashkë na u desh të njiheshim me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen non-grata të ish-Presidentit, ish-Kryeministrit dhe Liderit historik të Partisë Demokratike Sali Berisha. Ky, ishte një nga momentet më të vështira për mua, si kryetar i Partisë Demokratike, si demokrat, si njëri prej jush, por edhe si një bashkëpunëtor i afërt prej vitesh i z. Berisha. Kjo jo vetëm për faktin se çfarë përfaqëson për mua, si Lulzim Basha, apo për çdo demokrat, Sali Berisha, por edhe për faktin se unë jam dëshmitar si bashkëpunëtor i tij, ashtu si shumë prej jush, sa sa rëndësi dhe vlerë ka patur për Sali Berishën, mbrojtja e interesit publik dhe shërbimi me ndershmëri ndaj qytetarëve shqiptarë. Prandaj dhe që ditën e parë ku u njoha me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit iu bashkova thirrjes për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”, tha ai.

    Ai tha se Sali Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta.

    “Gjatë kohës që z. Berisha ishte Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte.
    Në të gjitha këto arritje partner kyç i Qeverisë Shqiptare ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj dua ta përsëris se vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk cënon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Partia Demokratike mbështet kërkesën për transparencë të bërë nga Z. Berisha, i cili ka ndërmarrë një vendim në mbrojtje të dinjitetit të tij, duke e kërkuar këtë transparencë edhe në rrugë gjyqësore. Ndërsa ndjekja e rrugës ligjore për të kërkuar transparencë është e drejtë themelore e njeriut, në rastin konkret çështja është komplekse për shkak se përfshin Departamentin Amerikan të Shtetit. Nga ana ime prej dy muajsh e gjysëm kam bërë të gjitha përpjekjet më intensive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë çështje”, tha Basha.

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!