×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Fillon vaksinimi i policëve në Shqipëri

    Reporteri
    03 Prill 2021 | 11:20

    Pas punonjësve shëndetësorë, të moshuarve, mësuesve, pedagogëve e gazetarëve, gjatë ditën e sotme do të imunizohen me vaksinën anti-Covid edhe 600 zyrtarë policorë në Shqipëri.


    Ky proces ka nisur sot në orën 8:00 në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet dhe në rrethe.

    Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ishin sot në stadium, ku panë nga afër procesin e vaksinimit e policëve, e cila ësht edhe një prej kategorive më të rrezikuara nga COVID-19, duke qenë në kontakt çdo ditë me qytetarë.

    Sipas kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu janë 11 mijë e 800 efektivë nga Policia e Shtetit që pritet të vaksinohen, ndërsa sot do të marrin vaksinën anti-Covid Sinovac 600 efektivë.

    “Janë 11 mijë e 800 efektivë nga Policia e Shtetit, sot do të vaksinohen 600, nesër përsëri 600 e do të vijojë në ditët me radhë,  60-80 veta në çdo orë”, tha Veliu.

    “Është bërë një ndarje mes gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit.  Vaksinimi ka filluar edhe në rrethe“, tha ministrja.

    Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se Shqipëria po ndjek planin e vaksinimit të kombinuar.

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka njoftuar se brenda muajit prill në vendin tonë do të vijnë edhe 23 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer.

    Kujtojmë se procesi i vaksinimit në Shqipëri vijon që prej 11 janarit në qendra të vaksinimit dhe shkolla. Qytetarët shqiptarë deri më tani po imunizohen me vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Coronavac.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!