×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Grabitja u paralajmërua në 2018, Aviacioni Civil e Policia letër koncesionarit: Rrethimi s’mjafton

    Reporteri
    15 Prill 2019 | 16:05

    Pas tri testimeve të dështuara në vitet 2016-2017, aeroporti i Rinasit ka rezultuar keq edhe në një audit të bërë për çështjet e sigurisë në vitin 2018 çka duket se ka paralajmëruar grabitjen me armë në pistën e avionëve.


    Drejtoria e Aviacionit Civil konfirmoi për RTV Ora se gjatë një auditimi që është bërë në maj vitit 2018 ka rezultuar se siguria e aeroportit ishte e cenueshme në rrethimin e pistës. Pas mangësive të konstatuara i kishte kërkuar zyrtarisht koncesionarit të ndërhynte për riparimin e problemeve.

    Në audit kishte marrë pjesë Drejtoria e Aviacionit Civil dhe Policia e Shtetit, të cilat i kishte dërguar me shkrim konkluzionet e tyre tek koncesionari, i cili duket se nuk ka marrë asnjë masë.

    Nga ana tjetër kryetarja e komisionit te sigurisë tha se nuk do të ketë seancë dëgjimore me autoritetet pa mbaruar hetimet e prokurorisë në lidhje me grabitjen e parave të tri bankave.

    Burimet hetimore thanë se ekspertiza paraprake shuan dyshimet se Admir Murataj mund të jetë qëlluar nga shokët e tij. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ky është rezultati i ekspertizës paraprake mjeko-ligjore si dhe faktorëve plotësues te viktimës, i cili ka mbetje të barutit në duar. Sipas këqyrjes së trupit, viktima ka një plagë tejshkuese poshtë veshit të djathtë.

    Në vendin ku ka ndodhur përplasja me armë janë sekuestruar mbi 100 gëzhoja, te cilat janë dërguar për analizim, çka vërteton edhe me prova përplasjen e tij me efektivët, të cilat janë vënë në ndjekje të furgonit që hyri në fushën e aeroportit.

    Ndërkohë celulari i gjetur në vendin e ngjarjes deri tani nuk ka sjellë asnjë prove të re për hetuesit e për rrjedhojë do të dërgohet për riekspertim për tu riparë dhe karta sim, nga ku do të përcaktohet se kur është vënë në përdorim dhe nëse është përdorur në vend tjetër përveç ditën kur ndodhi grabitja.

    Nga ana tjetër prokuroria e ka regjistruar çështjen pa autor për katër akuza të të cilat janë, grabitja me armë, vrasja e forcave të policisë të mbetur në tentative, dhe grup i strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre.

    Grupi i hetimit tha se brenda kësaj jave pritet të merren në pyetje zinxhiri drejtues ICTS dhe familjaret e te ndjerit Admir Murataj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!