×
  • Lajme
  • Shqipëria

    ‘Lista e patronazhistëve’, mbi 160 qytetarë padisin Partinë Socialiste për keqpërdorimin e të dhënave personale

    Reporteri
    19 Korrik 2021 | 14:49

    Mbi 160 qytetarë kanë vendosur të padisin Partinë Socialiste për keqpërdorim të të dhënave personale në lidhje me një listë shumë-emërore të rrjedhur në internet me të dhëna të ndjeshme.


    Padia u depozitua mesditën e sotme në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion nga organizata rinore “Guxo”, e cila do të jetë përfaqësuese e tyre.

    Përmes padisë, grupimi qytetar kërkon:
    – Konstatimin si të paligjshëm të mbledhjes, përpunimit dhe publikimit të të dhënave nga PS;
    – Fshirjen e çdo të dhëne personale nga kompjuterët, serverat, telefonat dhe pajisje elektronike të PS; dhe
    – Ndëshkimin me sanksione administrative të PS.

    “Të rinjtë e konsiderojnë të papranueshme që të dhënat e tyre të mblidhen, përpunohen dhe publikohen paligjshmërisht për interesa elektorale”, njofton organizata.

    Çështja e njohur si “lista e patronazhistëve” nxiti debat gjatë muajit prill pasi rrodhi në portalin Lapsi, drejtuar nga gazetarët Andi Bushati dhe Armand Shkullaku, të cilët këmbëngulën se ajo ishte përpiluar nga PS.

    Lista përmbante emrat e votuesve me të dhëna të kartave të identitetit, vendndodhjen, vendbanimin, vendin e punës, preferencën e votës, apo dhe gjendje të caktuara si pritshmëri për aplikime apo kërkesa në institucione. Disponimi partiak i këtyre të dhënave të ndjeshme, u dënua nga publiku si abuzim me menaxhimin e të dhënave nga institucionet shtetërore, të cilat zakonisht kanë këtë nivel informacioni personal.

    PS nuk ka pranuar se lista e rrjedhur në media është përpunuar prej zyrave të saj, mirëpo në disa deklarata publike, kryeministri Edi Rama ka marrë në mbrojtje rolin e të ashtuquajturve “patronazhistë”, të cilët sipas socialistëve janë anëtarë vullnetarë që mbledhin të dhëna për databazën elektorale. /Euronews.al/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!