×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Meta: Dënoj uzurpimin e AMA-s, goditje e rëndë për demokracinë

    Reporteri
    27 Maj 2021 | 14:14

    Presidenti Ilir Meta ka shprehur mbështetjen e tij për shqetësimin e gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të rreth 8200 kolegëve të tyre të huaj të grupuar në Rrjetin “Safe Journalists”.


    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se e dënon me forcë “nxitimin e mazhorancës dhe të Kuvendit aktual njëpartiak për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audiovizive”.

    Sipas tij, Kuvendi aktual nuk ka qenë i sinqertë as me median, as me Bashkimin Europian dhe as me Komisionin e Venecias.

    Meta vë në dukje se Kuvendi nuk është tërhequr akoma nga paketa “Antishpifje”.

    Postimi i plotë:

    E mbështes plotësisht shqetësimin e drejtë të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të rreth 8200 kolegëve të tyre të huaj të grupuar në Rrjetin “Safe Journalists” dhe e dënoj me forcë nxitimin e mazhorancës dhe të Kuvendit aktual njëpartiak për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audiovizive, një institucion thelbësor për garantimin e lirisë së medias në vendin tonë.

    Është pikërisht Kuvendi aktual, që nuk ka qenë i sinqertë, as me median, as me Bashkimin Europian dhe as me Komisionin e Venecias. Për më tepër, që po mbushet gati një vit (19 qershor 2020) dhe ende Parlamenti nuk është tërhequr zyrtarisht nga paketa antikushtetuese “Antishpifje”.

    Duke e përkrahur thirrjen e gazetarëve për të shtyrë plotësimin e vakancave në AMA, pasi Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të fillojë punën, theksoj se çdo tentativë për kontroll të lirisë së medias është goditje e rëndë për demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, që minon seriozisht rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!