×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Meta viziton të plagosurin në Kavajë: Prokuroria të zbardhë këtë krim zgjedhor

    Reporteri
    20 Prill 2021 | 8:25

    Pasi shkoi në zyrën e Partisë Demokratike në Kavajë, pas ngjarjes së rëndë ku u përdorën dhe armët, presidenti shqiptar Ilir Meta vizitoi rreth mesnatës të plagosurin Bledar Okshtuni në ambientet e spitalit.


    Ai i bëri thirrje policisë dhe prokurorisë që ky krim zgjedhor, siç e ka quajtur ai, të hetohet me shpejtësi dhe autorët të vendosen përpara drejtësisë.

    “Nuk mund të mos vizitoja në spitalin e Durrësit aktivistin e Partisë Demokratike, z.Bledar Okshtuni, të plagosur me armë zjarri brenda në zyrën elektorale në Kavajë. I urova shërim sa më të shpejtë, si dhe i shpreha nënës dhe familjarëve të tij të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time. I falënderova mjekët e Durrësit për profesionalizmin, përkushtimin dhe humanizmin e dëshmuar, që Bledari të ketë tashmë një gjendje të stabilizuar, jashtë rrezikut për jetën”.

    “U bëj thirrje Prokurorisë dhe Policisë, që ky krim i shëmtuar zgjedhor të hetohet me shpejtësi, si dhe autorët e urdhëruesit e këtij atentati të arrestohen pa vonesë dhe të dalin para drejtësisë. Me qetësi dhe vendosmëri të shkojmë të gjithë drejt Referendumit të 25 Prillit për të rivendosur demokracinë dhe shtetin ligjor, për një Shqipëri të çliruar nga bandat dhe korrupsioni, ku vajzat dhe djemtë e nënave të dhembshura, të mos detyrohen të largohen, por të jetojnë të qetë dhe plot shpresë për të ardhmen e tyre në Atdheun tonë të dashur. Mezi pres të takohem me Bledarin sapo ai të dalë nga spitali”, ka shkruar ai./ A2 CNN

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!