×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Nënshkruhet marrëveshja Shqipëri-Turqi për arsimin, parasheh futjen e gjuhës turke në shkolla shqiptare dhe shqipes në ato turke

    Reporteri
    04 Mars 2021 | 18:03

    Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Turqinë për bashkëpunim në fushën e arsimit. Marrëveshja e nënshkruar mes ministres së Arsimit Sportit dhe Rinisë Evis Kushi dhe ministrit turk të Arsimit Kombëtar Ziya Selçuk më 6 janar në Ankara në tre gjuhë (shqip, anglisht dhe turqisht) është publikuar tashmë në fletoren zyrtare.


    Kjo marrëveshje ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit, midis institucioneve përkatëse të të dy palëve, në fushën e arsimit, mbi bazën e barazisë dhe respektit reciprok, në përputhje me legjislacionet kombëtare të palëve dhe legjislacionin ndërkombëtar.

    Marrëveshja mbetet në fuqi për një periudhë 5-vjeçare dhe do të zgjatet pas miratimit nga palët, përmes rrugëve diplomatike, për një periudhë 3-vjeçare.

    Marrëveshja përcakton në parim se si do të nxitet bashkëpunimi mes dy vendeve në arsim, për shkëmbim eksperiencash, trajnime, kurse e binjakëzime. Po kështu parashikohet dhe nxitja e futjes së gjuhës turke në shkollat shqiptare dhe anasjelltas. Madje parashikohet dhe lëvizja e mësuesve si nga Shqipëria në drejtim të Turqisë dhe anasjelltas.

    Fusha e bashkëpunimit

    Palët do të promovojnë dhe nxisin bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit dhe botimeve shkencore në fushat e arsimit.

    Po kështu do të nxisin shkëmbimin e akademikëve, ekspertëve të arsimit, mësuesve, administratorëve të institucioneve arsimore dhe nxënësve të arsimit të mesëm dhe studentëve të arsimit të lartë.

    Marrëveshja do t’i shërbejë shkëmbimit të përvojave në fushën e arsimit të lartë, arsimit të mesëm, arsimit special, arsimit profesional dhe teknik, si dhe trajnimit të mësuesve dhe kualifikimit të mësuesve, organizimin e programeve të trajnimit, duke zbatuar projekte të përbashkëta;

    Shkëmbimin e përvojave në fushën e teknologjive të reja të aplikuara në arsim.
    Shkëmbimin e përvojave në fushën e zhvillimit të kurrikulës;

    Shkëmbimin e programeve të zhvillimit profesional për administratorët, mësuesit dhe personelin në fushën e arsimit;

    Kryerjen e hulumtimeve dhe kërkimeve të përbashkëta në fushën e arsimit;
    Shkëmbimin e informacionit, në mënyrë reciproke, lidhur me sistemet e matjes dhe vlerësimit të zbatuara në të dy vendet;

    Shkëmbimin e përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet;

    Inkurajimin reciprok të pjesëmarrjes së studentëve në konkurset shkencore dhe kulturore të organizuara në të dy vendet;

    Promovimin e bashkëpunimit për zhvillimin e programeve të përbashkëta, marrëdhënieve binjakëzuese të shkollave dhe aktiviteteve të studentëve, midis institucioneve përkatëse arsimore të palëve;

    Inkurajimin për pjesëmarrje të ndërsjellë në aktivitete, të tilla si: seminare, ekspozita, konferenca dhe studime shkencore etj., në fushën e arsimit.

    Mësimdhënia dhe nxënia e gjuhëve zyrtare

    Një tjetër pjesë e rëndësishme e marrëveshjes parashikon dhe futjen e gjuhës turke në shkollat shqiptare dhe gjuhës shqipe në shkollat turke. “Palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor”.

    Në marrëveshje thuhet se “pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke”.

    Po kështu pala shqiptare do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve turq në seminaret/kurset verore të gjuhës dhe kulturës shqiptare.
    Pala turke do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve shqiptarë në seminaret/kurset verore në gjuhën dhe kulturën turke.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!