×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Nga sot edhe Sali Berisha, kush janë personat tjerë shqiptar “non-grata” të shpallur ndër vite nga SHBA

    Reporteri
    19 Maj 2021 | 15:27

    “Peshku i madh e ha të voglin. Për herë të parë në Shqipëri do të hamë peshkun e madh,” – kjo ishte deklarata e ish-ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu, pak muaj përpara se Departamenti Amerikan i Shtetit (DAP), të shpallte “non–grata” (të padëshiruar) më 14 shkurt 2018 ish-Prokurorin e Përgjithshëm Shqiptar Adriatik Llalla për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.


    Në vendimin e DASH thuhej: “Përveç përcaktimit të z. Llalla, Sekretari po përcakton publikisht edhe bashkëshortin e z. Llalla, Ardjana Llalla, vajzën e tij, Eni Llalla dhe fëmijën tjetër të tij, shtetas jo-amerikan”

    Pak javë më pas, më 16 prill 2018, DASH do t’i ndalonte, me të njëjtin motivacion, hyrjen në SHBA, deputetit Tom Doshi bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.

    “Përveç përcaktimit të z. Doshi, Departamenti po përcakton publikisht edhe bashkëshortin e z. Doshi, Xhovana Doshi, vajzën e tij të rritur, Briana Doshi, djalin e tij të rritur, James Doshi dhe fëmijët e tij të mitur”

    Më 30 korrik 2019, DASH, vendosi të shpallë si person të padëshiruar, duke i refuzuar hyrjen në SHBA kryetarit të Bashkisë së Durrësit asaj kohe Vangjush Dakos dhe familjes së tij. Shkak mbetej sërish përfshirja e këtij zyrtari të lartë në korrupsion, raporton EuroNews Albania.

    “Sekretari i Shtetit po përcakton publikisht Kryetarin e Bashkisë Shqiptare të Durrësit Vangjush Dako nën Seksionin 7031 (c) të Aktit të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Ndarura të FY 2019, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm”

    Më herët ish-ambasadori Lu ka deklaruar se Ambasada Amerikane gjatë kohës së drejtimit të tij ka refuzuar vizat për disa gjyqtarë e prokurorë, për të cilët DASH ka pasur informacion se janë të përfshirë në korrupsion. Detyrën për zbulimin e emrave asaj kohe Ambasada deklaroi se ja linte procesit të vetingut.

    E sot, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar se ish-presidentit shqiptar, Sali Berisha, dhe familjes së tij të afërt, iu ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Blinken ka thënë se aktet e korruptuara të Berishës, minojnë demokracinë në Shqipërinë dhe se ai i sheh familjen Berisha si të papërshtatshëm për hyrjen në SHBA, shkruan Reporteri.net.

    “Aktet e korruptuara të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë jam duke caktuar publikisht Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të afërt si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi #BashkimiKundërKorrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri.”, shkruan Blinken.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!