×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Pasi “dështoi” në zgjedhje, Astrit Patozi dorëhiqet nga drejtimi i partisë Bindja Demokratike

    Reporteri
    02 Maj 2021 | 13:31

    Astrit Patozi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë Bindja Demokratike. Patozi ka falënderuar kandidatët dhe të gjithë votuesit që morën pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa shton se merr të gjitha përgjegjësitë për mosarritjen e objektivave elektorale.


    Patozi ndër të tjera shton se i inkurajoj të përfshirët në partinë Bindja Demokratike që të që ta vazhdojnë edhe më të vendosur këtë rrugëtim politik, i cili ka në epiqendër sipas tij respektin për disa vlera dhe parime të qenësishme si dhe dëshirën për t’i shërbyer vendit dhe interesit publik.

    “Marr përgjegjësinë dhe dorëhiqem nga drejtimi i bindjes demokratike

    Duke falenderuar edhe një herë kandidatët, mbështetësit dhe të gjithë votuesit e Bindjes Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, kam vendosur të marrë të gjitha përgjegjësitë për mosarritjen e objektivave tona elektorale dhe të dorëhiqem nga drejtimi i partisë.

    Fakti që ne bëmë një betejë dinjitoze dhe qytetare, në mesin e një polarizimi ekstrem, që erdhi nga egërsia dhe ashpërsia e forcave kryesore politike, nuk mund të shërbejë në asnjë rast si justifikim për askënd prej nesh, por sidomos për mua që udhëhoqa fushatën. E kemi ditur që në fillim se në kohë lufte njerëzit nuk kanë mundësi të dëgjojnë muzikë, por nuk kemi ndërmend të fshihemi prapa rrethanave të vështira dhe të pazakonta.

    Që nga dita e parë e krijimit të partisë, por sidomos gjatë kësaj fushate, pata fatin dhe privilegjin të njoh dhe bashkëpunoj me njerëz të shkëlqyer, politikanë me eksperiencë apo edhe të rinj të supermotivuar, të cilët më kanë mbushur me besim se ky është një investim, që nuk do të tretet. Unë i inkurajoj ata të gjithë që ta vazhdojnë edhe më të vendosur këtë rrugëtim politik, i cili ka në epiqendër respektin për disa vlera dhe parime të qenësishme si dhe dëshirën për t’i shërbyer vendit dhe interesit publik.

    Nuk mendoj se është koha për t’u dekurajuar, sepse ne i kemi ditur dhe marrë parasysh vështirësitë që në nisje të këtij projekti politik. Askush prej nesh nuk kishte keqkuptimin se rezultati do të arrihej me një të rënë të sopatës dhe asnjëherë nuk e kishim menduar se Bindja Demokratike ishte projektuar për vetëm një palë zgjedhje. Ndryshe, do të kishte qenë e pandershme dhe e padenjë për të gjithë ata shqiptarë, që e mbështetën dhe i besuan asaj.

    Dorëheqja ime është një akt moral përgjegjësie, por kurrërrësesi dorëzim. E kemi shpallur që në ditën e parë të themelimit se Bindja Demokratike nuk është një njeri, as një grup personash, e aq më pak pronë apo ndërmarrje biznesi e dikujt. Ajo është një ide e bukur për të ndryshuar mënyrën e drejtimit të Shqipërisë, pasi ne mendojmë se ajo keqqeveriset për shkak të një sistemi të kapur, që ka mbyllur të gjitha shtigjet e konkurrencës së lirë.

    Ndaj unë do të vijoj të mbetem një mbështetës i palodhur i kësaj ideje, si njeri politik dhe qytetar i angazhuar, sepse jam i bindur që është e vetmja rrugë për të pasur një atdhe më të drejtë, më pak të korruptuar, më të jetueshëm, dhe me një qeveri që shërben dhe nuk sundon.

    I uroj fat dhe sukses Bindjes Demokratike në sfidat e radhës, si një projekt serioz që, sipas meje, ka për qëllim ndryshimin strukturor të politikëbërjes në këtë vend, i cili ka qenë që në fillim dhe duhet të vijojë mbetet sërish në dispozicion të ripërtëritjes të së djathtës dhe të opozitës në Shqipëri”, shkruan Patozi, përcjell ABC News.

    Kujtojmë se më herët njoftoi largimin nga partia e tij dhe Nard Ndoka.

    Po ashtu edhe Jozefina Topalli bëri po të njëtin lajmërim pas dështimit në zgjedhje. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!