×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Përplasje, tensione dhe flakë: Përshkallëzohet situata në shumë qytete të Shqipërisë

    Reporteri
    19 Qershor 2019 | 14:42

    Me afrimin e datës 30 Qershor, situata është tensionuar në disa qytete dhe po përshkallëzohet në përplasje të forta mes policisë dhe përfaqësuesve të opozitës dhe qyetetarëve.  Kryebashkiakët që përfaqësojnë opozitës, kanë bërë thirrje për lirimin e KZAZ-ve, duke zbatuar dekretin e Presidentit Meta, i cili anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit.


    Nga ana tjetër, KQZ i ka konsideruar këto deklarata të paligjshme. Mes kësaj përplasje të fortë institucionale, por edhe me përplasjet që po vijojnë në terren, qeveria, me në krye Edi Ramën, duket e vendosur të marshojë drejt zgjedhjeve të 30 Qershorit.

    TPZ.al, sjell një panoramë të asaj që po ndodh në Shqipëri, në 24 orët e fundit.

    TROPOJË

    Fillimisht përplasjet nisën në Tropojë, ku qytetarë kanë hequr materialet zgjedhore në KZAZ-në nr.9. Ata kanë thyer xhamat dhe dyert e objektit dhe në fund kanë mundur të largojnë materialet zgjedhore.


    SHKODËR

    Pasditen e djeshme, pati përplasje të forta edhe në qytetin e Shkodrës, mes policisë dhe qytetarëve, ku shkollës Shejnaze Juka”, u tentua t’i vihej flaka dhe njëkohësisht u thyen disa xhama. Protestuesit kanë kërkuar të shkatërrojnë materialet zgjedhore. Ndërkohë, ish-deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia, është shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës


    KAMËZ 

    Paraditen e sotme, pati përplasje të forta në Kamëz, ku policia përdori gaz lotjesllës për të shpërndarë turmën e personave që kërkonin të hynin në KZAZ. Nga përdorimi i gazit lotsjellës, njëri prej policëve ka rënë pa ndjenja. Në pamjet e siguruara nga vendngjarja,  duket një turmë mjaft e revoltuar, që kërkon të hyjnë në ambientet e shkollës ku ndodhen materialet zgjedhore.


    BURREL

    Në Burrel ka pasur tensione pas përplasjes mes qytetarëve dhe policisë. Edhe në këtë bashki, kërkohej lirimi i ambienteve zgjedhore. Raportohet se ka pasur përleshje mes policisë dhe qytetarëve në KZAZ-në nr. 16. Si rrjedhojë e përplasjes së dhunshme, ka patur disa të lënduar. Edhe në këtë rast, policia ka përdorur gaz lotsjellës.


    KUKËS

    Një përplasje e ashpër ka ndodhur edhe në qytetin e Kukësit mes banorëve dhe policisë. Qytetarët kërkojnë largimin e KZAZ-së që ndodhet në palestrën e gjimnazit ‘Havzi Nela’. Policia nën drejtimin e kreut të saj, Pashk Laska është vënë në mbrojtje të KZAZ-së, duke hedhur edhe gaz lotsjellës. Në përplasjen mes FNSH-së dhe mbështetësve të PD në Kukës, këta të fundit e kanë shqyer derën me kamionçinë. Duke parë që situata ka agravuar, policia ka hequr vullnetarisht materialet zgjedhore në KZAZ-në nr. 11 (video më poshtë).


    POGRADEC DHE BILISHT 

    Pogradeci, është qytetit i radhës ku shënohen përplasje mes policisë dhe mbështetësve të PD.

    Përplasja ka ndodhur në qendrën e votimit nr 70 në Bilisht. Pogradeci është bashkia e radhës e drejtuar nga PD ku janë shënuar incidente.


    KLOS 

    Në Klos janë djegur materialet zgjedhore. Pas situatës së tensionuar, mbështetës të opozitës kanë arritur të nxjerrin jashtë KZAZ 17 materialet zgjedhore, duke i vënë më pas flakën.


    BERAT 

    Situatë e tensionuar është regjistruar edhe në në KZAZ Nr.64 në Berat. Përplasje janë shënuar ndërsa mbështetës të opozitës kanë tentuar të thyejnë kordonin e policisë për të hyrë brenda ambjenteve të KZAZ nr. 64, e cila ndodhet brenda ambjenteve të Pallatit të Kulturës në Berat. Në krye të protestuesve është i derguari i kryesisë së PD-së për Qarkun e Beratit dhe njëkohëshisht anëtar i kryesisë së PDHS-së,Eno Bozdo. Në mbështetje të forcave të Rendit, në Berat kanë zbarkuar edhe punonjës të FNSH.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!