Pesë vatra zjarri në të gjithë Shqipërinë, më kritiket në Karaburun dhe Kurbin

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) thotë se janë duke u përballur me flakët në 5 vatra zjarri, ku më kritiket ngelen ato të Karaburunit dhe Kurbinit.


Ndërkohë gjatë ditës së sotme në Qendrën e Emergjencave Civile janë lajmëruar me dhjetëra vatra.

Koordinimi dhe ndërhyrja e menjëhershme e strukturave të emergjencave civile në nivel vendor dhe qendror ka bërë të mundur neutralizimin e tyre pa cenuar pasuritë natyrore apo zona të banuara.

Bashkëpunimi me komunitetin për parandalimin apo lajmërimin e hershëm të situatave të zjarreve është jetik për të limituar pasojat e temperaturave të larta të këtyre ditëve.

Robert Hysenllari, drejtor i Gatishmërisë dhe Përgjegjës ndaj Emergjencave pranë AKMC gjatë një interviste për Euronews Albania tha se pavarësisht përdorimit të helikopterit, vatra në Karaburun ende nuk është vënë nën kontroll.

Ndërkohë zjarri në Mamurras pranë Kurbinit paraqet vështirësi pasi flakët kanë përfshirë një zonë pylli me pisha, duke e bërë shumë të vështirë ndërhyrjen.