×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rama kërkon dekretimin e ministrave, Meta i ‘çon’ në Prokurori: Kërkoj verifikim për secilin prej tyre

    Reporteri
    12 Shtator 2021 | 23:08

    Presidenti i Republikës ka vënë në lëvizje institucionet e drejtësisë për të verifikuar emrat e ministrave të paraqitur për dekretim nga kryeministri Edi Rama.


    Në shkresën që mban datën 11 shtator Ilir Meta kërkon nga Prokuroria e Përgjithshme të informohet nëse ka të dhëna apo informacione mbi 16 emrat lidhur me proceset hetimore apo penale që janë nisur apo janë në fazë vlerësimi për tu inicuar për secilin prej tyre.

    Në shkresë thuhet se nëse ka informacione të kësaj natyre, pa cenuar procesin hetimor kërkohet të informohet mbi gjendjen e procedimit dhe statusin e secilit prej ministrave të propozuar.

    Kreu i shtetit kërkon që informacioni të përcillet në një kohë sa më të shpejtë. Kjo pasi në nenin 98 të kushtetutës presidenti duhet të shprehet mbi këto emërime brenda shtatë ditëve nga administrimi i propozimeve.

    Në dokument ndër të tjera thuhet se Rama ka kërkuar dekretimin ditën e shtunë, menjëherë pasi Meta dekretoi emërimin e tij si kryeministër.

    Të hënën parlamenti do të zhvillojë dhe seancën kur kryeministri Rama do të paraqesë programin politik si dhe do të prezantojë kabinetin qeveritar.

    Pas kësaj kreu i shtetit do të duhet të pranojë apo nëse do të ketë informacione nga institucionet e drejtësisë të refuzojë ministra.

    Nisur dhe nga proceset e së shkuarës shkresa për informacion i dërgohet edhe shërbimit informative shtetëror.

    Kabineti i ri qeveritar përbëhet nga 12 ministre katër prej të cilave pa portofol dhe nga katër ministra. Pas dekretit ata do të duhet të betohen në presidencë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!