×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rikthehet “Hakmarrja për Drejtësi”

    Reporteri
    27 Maj 2019 | 14:03

    Orik Shyti dhe Laert Shyti, të cilët u përfolën si anëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi”, janë ankuar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj gjykatësit që i shpalli fajtorë në 2008-tën.


    Vendimi ndaj tyre u prish nga Gjykata e Lartë, e cila e riktheu çështjen për rigjykim në Apelin e Gjykatës së Krimeve të Rëndë, e cila i shpalli të pafajshëm.

    Orik Shyti dhe Laert Shyti, në ankesën e tyre pranë KPK, pretendojnë se gjyqtari Dhimitër Lara ka qenë i ndikuar politikisht për t’i dënuar.

    Sipas tyre, ai është shprehur se nëse do e trajtonte serish çështjen e tyre, do të jepte të njëjtin vendim.

    Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që çliroi nga akuzat grupin “Hakmarrja për Drejtësi”. Tonet e dy vëllezërve Orik dhe Laert Shyti kanë qenë të ashpra ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

    “Ndoshta kanë ndryshuar kohët dhe nuk besojmë se Sali Berisha do t’i shpallë edhe gjyqtarët që dhanë vendimin e sotëm anëtarë të “Hakmarrjes”. Natyrisht që nuk do ta pengojë vendimi i Gjykatës së Lartë, që shprehet se “Hakmarrja për Drejtësi” nuk ka ekzistuar kurrë, por është krijuar bashkë me platformën dhe apartamentin e mbushur me armë nga shërbëtorët e tij, nëpunës të shtetit. Kjo dhe Vettingu janë dy arsye që mund ta pengojnë t’i shpallë gjyqtarët anëtarë të “Hakmarrjes”, apo të kërcënuar e frikësuar nga “terroristët” e saj”, thuhet në reagimin e vëllezërve Shyti.

    Pjesë nga dosja “Hakmarrje për Drejtësi”

    Historia e organizatës së ashtuquajtur “Hakmarrja për drejtësi” është unike, jo vetëm për ecejaket 20-vjeçare në dyert e gjykatave, por edhe për faktin që gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë një çështje, ku asnjëherë nuk u kuptua sa ndikonin provat për krimet që i atribuoheshin dhe sa ndikonte politika.

    “Hakmarrja për drejtësi” do të artikulohej për herë të parë si organizatë me prirje terroriste dhe me qëllim për të rrëzuar demokracinë pakvjeçare shqiptare më 12 tetor të vitit 1996, kur policia publikoi një foto të një arsenali armësh, të gjetura në një apartament, që i përkisnin kësaj organziate.

    Më pas, bomba e vendosur tek ish-marketi i VEFA-s pranë pallateve 9-katëshe në Tiranë dhe vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve të asaj kohe, Bujar Kaloshi, do të ishin krimet e radhës, për të cilat do të akzuohej “Hakmarrja për drejtësi”.

    Gjatë viti 1996, policia e atëhershme identifikoi Orik Shytin, djali i Aredin Shytit, ish-zv.ministër dhe ministër i Brendshëm për periudhën Janar-Korrik 1991, i dënuar për vrasjet e 2 prillit 1991. Më pas u arrestuan Laert Shyti dhe Enkeled Agaj. Sipas hetimeve të asaj kohe, kjo organizatë kishte kryer një sërë krimesh në vitet 1992-1996, madje kishte në plan edhe eliminimin fizik të Presidentit të atëhershëm të vendit, Sali Berisha.

    Por, në mars të 1997-s, të arrestaurit u arratisën nga burgjet dhe dozat e forta politike të procesit ndaj tyre i ndihmuan të fiton azilin politik jashtë vendit. Hetimi ndaj “Hakmarrjes për drejtësi” do të rifillonte në vitin 1998, për të përfunduar 10 vite më vonë në vitin 2008, kur Prokuroria e Krimeve të Rënda arriti të kërkonte dënime për 10 anëtarët e kësaj organizate, të akuzuar për dhjetëra vrasje, grabitje, rrëmbime dhe akte terroriste, kryesisht në vitet 1992-1996.

    Shpallja të pafajshëm
    Gjykata e Apelit në Tiranë dhe ajo e Lartë do të linin në fuqi këto masa dënimi, duke firmosur në këtë mënyrë fatin e kësaj organziate.

    Por, i akuzuari si kreu i organizatës, Orik Shyti, edhe pse në arrati, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila në vitin 2011 do të konstatonte shkelje në gjykimin e kësaj organizate, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes.

    Në 2016-ën Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i konsideroi të pavlefshme provat e mbledhura ndaj 10 personave të akuzuar si pjesë e “Hakmarrjes për Drejtësi”.

    Sipas këtij konstatimi, Gjykata e Lartë e rikthyer dosjen për rigjykim në Apelin e Krimeve të Rënda, që e ndodhur në kushtet kur provat janë nul, nuk mundej të shprehej ndryshe.

    Përgjatë 21 viteve gjykim, 10 të dyshuarit, mes tyre Orik e Laert Shyti dhe Altin Arapi kërkuan pafajësinë në një odise me kthime dhe rikthime nga njëra gjykatë në tjetrën.

    Provat që Gjykata e Lartë i pohoi si të manipuluara përfshijnë jo vetëm një dokument të sekuestruar, në të cilin sipas ekspertëve grafikë, shkrimi që përshkruan platformën e “Hakmarrjes për Drejtësi” është i falsifikuar, por edhe këqyrje banesash, marrje dëshmish dhe sekuestro të ndryshme.

    Gjykata shpalli të pafajshëm:
    Orik Shyti
    Altin Arapi
    Gentian Caka
    Nikolin Novruzaj
    Roland Shyti
    Leart shyti
    Kreshnik Spahiu
    Pasho Novruzaj
    Gëzim Gjoni
    Dritan Hate

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!