×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rrëfimi i nënës shqiptare: Si mi shtypi makina 2 vajzat kur po ecnin në trotuar

    Reporteri
    10 Tetor 2019 | 7:54

    “Stop” ka sjellë një histori abuzimi nga ana e drejtësisë. Familja Hekurani nga Elbasani jetonte e punonte në Greqi dhe në Gusht të vitit 2012 u kthyen në Shqipëri për një dasmë, e cila për ta u kthye në mort.


    Një automjet tip “Fiat Punto” përplasi në trotuar 2 vajzat dhe nënën e tyre. Vajzat 21 dhe 19 vjeç humbën jetën, ndërsa nëna mbeti e plagosur rëndë.

    Nëna: Në trotuar ishim ne mor bir, në trotuar. Ku të rrinim ne më shumë se në trotuar? Në trotuar na shtypi.

    Babai: Unë po kërkoja fëmijët, ku janë fëmijët. Kur shiko fëmijët unë, brenda në bodrum.

    Gazetari: Është në gjendje të vështirë, kurohet me ilaçe?

    Babi: Po, po, me ilaçe. Dje isha tek doktori, mora ilaçet.

    Nëna: Vdiqa nga dhimbja e kokës.

    Gazetari: Të dhëmb koka ë? Po qetësohu tani për çunin dhe për burrin. E di që është shumë e rëndë, por i bën vetes dhe familjes keq.

    Babai: Ajo rri e rri, dhe vetëm qan. Qan e bërtet, unë s’di çfarë të bëj. Çunin e kam andej.

    Nëna: Nuk fle gjithë natën.

    Gazetari: Nuk të zë gjumi.

    Nëna: Nuk fle gjithë natën. Gjithë natën nuk fle. Rri me gocat.

    Por, si ndodhi aksidenti? Ishte ora rreth 11:00 e natës e 11 Gushtit të 2012 kur drejtuesi i mjetit “Fiat Punto” vinte nga qyteti i Cërrikut për të hyrë në qytetin e Elbasanit dhe familjarët Hekurani ishin në trotuar. Drejtuesi i automjetit humb kontrollin pasi ishte me shpejtësi dhe përplas në fillim të ëmën e 2 vajzave dhe më pas 2 vajzat, të cilat përfundojnë në bodrumin e pallatit dhe humbin jetën në vendngjarje.

    Nëna: Unë nuk e dua jetën më, unë dua të shkoj tek gocat e mia, të mos i lë vetëm ato. Se janë vetëm. Janë vetëm, janë të vogla.

    Veç traumës, për familjen Hekurani nisi kalvari gjyqësor. Sipas kryefamiljarit, gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu u përpoq ta kalonte lehtë aksidentin fatal. Gjykata e Elbasanit vendosi 5 vite burg nga 15 që kërkoi prokuroria.

    Babai: 5 vite i dha kjo Pajtime Fetahu. 5 vjet burg, pse? Se mori lekë nga këta.

    Nëna: Leku ka ardhur edhe tek ne, por ne nuk i pranuam lekët e qenit. Lekët i kanë ngrënë gjykatat.

    Babai: Për gjakun e fëmijëve të mi, i thashë, të marr lekë unë…erdhën ca, jo të shtëpisë, por ca të tjerë erdhën e u thanë vëllezërve të mi. Sollën çantën me lekë. Çfarë lekësh do të më sjellësh ti mua mer? Lekun e gjakut të fëmijëve të ha unë? Po ti do plumbin mor, se më more dy goca, më morë në qafë, më shove familjen. Pastaj shkoi e ia dha Pajtime Fetahut, e ajo i dha 5 vite burg. Si i jep 5 vite burg? Është turp.

    Çështja u apelua në Gjykatën e Apelit në Durrës, e cila e dënoi me 12 vjet burg drejtuesin e automjetit, që shkaktoi aksidentin.

    Deri në këtë fazë, çështja penale quhet e përfunduar, por nga ana tjetër, çështja civile u zhvillua në Tiranë.

    Babai tha se çështjen civile në lidhje me dëmshpërblimin, e nisi në Tiranë, pasi në Elbasan ka shumë korrupsion, por ra nga shiu në breshër.

    Pas një procesi që zgjati 3 vjet, nga 500 milionë lekë, që duhej të ishte dëmshpërblimi, gjykata vendosi 88 milionë lekë të vjetra për këtë familje.

    Eksperti Gramoz Ylli tregon se ai kishte përgatitur dy akte-ekspertimi, një bazuar në pagën minimale në Shqipëri, prej 210 mijë lekësh dhe një tjetër me pagën minimale greke prej 510 eurosh.

    Por çuditërisht, gjykata, në shkelje, ka marrë të mirëfilltë aktin e parë, i cili kishte edhe dëmshpërblimin më të ulët prej 88 milionë lekësh të vjetra.

    Gazetari – Pse i ka dalë shuma kaq e vogël, d.m.th, dëmi?

    Eksperti– Dëgjo! Ne kemi bërë dy akte. Është bërë akt me pagën shqiptare, me pagën minimale, që është turp i madh, që ashtu… e kërkuam dhe me pagën greke dhe ajo dilte shumë diçka më e lartë.

    Gazetari – Po pse s’e ka marrë parasysh gjykata?

    Eksperti- S’e merr parasysh. E kemi bërë dhe me pagën greke. E kam unë aktin. Po do, ta tregoj. Çuno, më erdhi mirë, që e ke marrë seriozisht. Me nder të familjes, të jesh i sigurt, që unë nuk i njoh këto gjëra. Më vjen turp, sepse është vdekje. Se në vdekje, duhet të ndihmohesh! Këto dallaveret, është turp i madh. Ore, vdekje! Është fatkeqësi, por diçka tek vdekja, duhet lëvizur tek paga greke këtu, ka mundësi ky.

    Nëna: ǒmë duhet jeta mua, kur dy vajzat e mia të reja janë në dhe? ǒmë duhet jeta mua që jetoj në këtë dynja më.

    Gazetari: Bëhu e fortë për çunin. Ke çunin.

    Nëna: Gocat e mia rrinë në dhe. Ça të bëj unë?

    Gazetari: Sa vjeç është çuni?

    Babai: Është 20 vjeç.

    Nëna: A ka qeveri, a ka Zot?

    Tani kjo çështje është në Gjykatën e Lartë, por Gjykata e Lartë nuk funksionon, kështu që…i mbetet Zotit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!