×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shkeljet e administratës në 2018 arrijnë 1,7 miliardë euro

    Reporteri
    06 Prill 2019 | 10:49

    Shkeljet e administratës për vitin 2018 arrijnë në një dëm ekonomik në vlerën e 1,7 miliardë eurove.


    Abuzimet dhe shkeljet e administratës u publikuan dje në raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2018. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se nga viti në vit shkeljet me dëm ekonomik janë rritur. Sipas KLSH-së, për 10 vite të periudhës 2002-2011 dëmi ekonomik ishte 47,7 miliardë lekë, ndërsa në 7 vite, për periudhën 2012-2018, dëmi është 226,7 miliardë lekë. Pra, në krahasim me dy periudhat ka një pesëfishim të dëmit ekonomik nga shkeljet. Për vitin 2018, shkeljet janë gjetur si në mbledhjen e të ardhurave, ashtu edhe të shpenzimeve.

    “Në total janë konstatuar parregullsi financiare dhe dëm ekonomik në shumën 213,9 miliardë lekë ose afërsisht 1,711.1 milionë euro: parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 24,1 miliardë lekësh ose 193 milionë euro.

    Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 189,8 miliardë lekësh, afërsisht 1,518 milionë euro, nga e cila: 116 miliardë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 923 milionë euro dhe 73,8 miliardë lekë, afërsisht 587 milionë euro në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve”, thuhet në raport.

    Për vitin 2018, KLSH ka depozituar pranë prokurorive, 40 kallëzime dhe indicie penale edhe 1 dosje auditimi e përcjellë për vlerësim organit të Prokurorisë. Në 41 kallëzimet dhe indiciet penale të hartuara nga KLSH, janë ngarkuar me përgjegjësi penale 112 persona, nga të cilët: 33 titullarë institucionesh, 26 nëpunës të nivelit drejtues të tjerë, 4 subjekte private, 49 nëpunës të tjerë.

    Po ashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se numri i kallëzimeve penale në 7 vitet e fundit 2012-2018, që është 307 kallëzime, është rritur më shumë se 2 herë, krahasuar me periudhën 6- vjeçare 2002-2011, që ishin 168 kallëzime.

    BORXHI PUBLIK

    Kontrolli i Lartë i Shtetit në raport ngre edhe shqetësimin e borxhit publik. Sipas këtij institucioni, niveli i borxhit publik është 72 për qind, larg objektivit të qeverisë për ta mbajtur borxhin në nivelin 65,5 për qind. Në llogaritjen e kësaj shifre, Kontrolli i Lartë i Shtetit përfshin detyrimet e prapambetura në vlerën e 19 miliardë lekëve, ndërsa qeveria thotë për to se janë në vlerën e 16 miliardë lekëve.

    “Vlera e detyrimeve të prapambetura, si shpenzim i konstatuar, nuk është raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, çka do të sillte një deficit mbi 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por është raportuar si shpenzim i periudhave të ardhshme”, thuhet në raport. Kontrolli i Lartë i Shtetit llogarit si borxh edhe shlyerjen e stokut të rimbursimit të TVSH në vlerë 11 miliardë lekë. Sipas KLSH, nga hartimi i strategjinë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”, ku qeveria vendosi objektivin e mbajtjes së borxhit në 65,5 për qind, konstatohet se niveli i tij luhatet rreth 70-74 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

    SHIFRAT E DËMIT

    • 1,7 miliardë euro është në total dëmi i administratës, i konstatuar për vitin 2018 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit

    • 1,5 miliardë euro është dëmi i konstatuar në fushën e të ardhurave

    • 587 milionë euro është dëmi i konstatuar në fushën e shpenzimeve të administratës publike

    • 41 kallëzime janë dërguar në Prokurori për vitin 2018, ku janë ngarkuar me përgjegjësi penale 112 persona, nga të cilët: 33 titullarë institucionesh, 26 nëpunës të nivelit drejtues të tjerë, 4 subjekte private, 49 nëpunës të tjerë

    • 5 herë më i lartë është dëmi për periudhën 2012- 2018 krahasuar me periudhën 2002-2011

    • 226,7 miliardë lekë ishte dëmi i shkaktuar nga shkeljet e administratës për periudhën 2012-2018

    • 47,7 miliardë lekë ishte dëmi i shkaktuar nga shkeljet e administratës për periudhën 2002-2011

    • 2 herë më i lartë është numri i kallëzimeve penale në 7 vitet e fundit 2012-2018, që është 307 kallëzime krahasuar me periudhën 6-vjeçare 2002-2011, që ishin 168 kallëzime

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!