×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shqiptarët që jetojnë në kushte çnjerëzore në kampin Al-Hawl të Sirisë: Na ktheni në vendin tonë

    Reporteri
    13 Nëntor 2019 | 11:30

    Fytyrat e fëmijëve midis pluhurit dhe mbeturinave të shoqërojnë kudo në kampin Al-Hawl. Përreth tyre, gra dhe vajza që bartin ushqimet e paketuara dhe tentojnë të pastrojnë midis çadrave.


    Janë me mijëra në Al Hawl. Më shumë se një kamp, është një burg gjigant, ku familjarët e ushtarëve të ISIS-it të zënë robër, janë të izoluar dhe të detyruar të jetojnë në çadra.

    Për të gjetur gratë dhe fëmijët shqiptarë, grupit të xhirimit të A2 iu desh të endej disa orë. Pas disa minutave me radhë, gazetari Julian Kasapi nuk merr asnjë përgjigje në shqip në këtë kamp gjigant në kufi me Irakun.

    Kushtet e jetesës janë çnjerëzore. Rreziku është konstant dhe kurdët që ruajnë kampin e dinë se shumë prej grave që jetojnë aty kanë qenë të trajnuara për të luftuar.

    Ushqimi dhe veshjet shpërndahen nga forcat kurde, ndërsa uji i pijshëm mbahet në depozita plastike.

    Qindra fëmijë enden rrugëve të kampit, të uritur, të zbathur, disa punojnë për të shpërndarë ushqim e veshje.

    Pas tri orësh kërkim përgjatë kampit dëgjohen zëra shqip. Janë gratë dhe vajzat shqiptare që kanë mbetur të izoluara në kamp.

    “Unë jam Rruzhdie Balliu nga Librazhdi. I bëjmë thirrje shtetit të na kthejë në vendin tonë. Unë nuk kam kontakt me asnjë nga familjarët. Burrin nuk e di fare se ku është. Ali quhet”, shprehet një tjetër shtetase shqiptare.

    “Unë jam Brunilda nga Tirana. Këtu kam 6 vjet që kam ardhur bashkë me fëmijët e mi. Tani po vjen darka dhe këtu është shumë ftohtë nëpër çadra. Ne duam të kthehemi”

    “Unë jam Revajet Shahini nga Maqedonia. Kam 6 vjet këtu. Kam 6 fëmijë. I bëj thirrje shtetit që të na marrë pasi këtu nuk rrihet, është rrezik”, thotë shqiptarja nga Maqedonia.

    Në kushte të tilla jetojnë me dhjetëra mijëra të tillë. Forcat kurde, ndërkohë, janë vënë në lëvizje për të nxjerrë nga kampi grupin e xhirimit të A2. Të armatosur rëndë, ata i thonë grupit të A2 se duhet të dalë jashtë për pak minuta.

    Përgjigjet janë të shkurtra. Jetojnë në mjerim prej muajsh me shpresën se dikush do të vijë t’i nxjerrë jashtë. Gra dhe fëmijë të mbetur në mëshirë të fatit, që kanë parë tmerret e luftës, në pritje që dikush t’i tërheqë nga rruga që vite më parë morën drejt Sirisë, të gënjyer nga propaganda ekstremiste për krijimin e kalifatit.

    Dalja nga Al-Hawl është e shpejtë. Ushtarët kurdë nxitojnë që grupi të dalë nga kampi para perëndimit të diellit. Kampi mbetet një vend i rrezikshëm dhe pjesa më radikale, thonë kurdët, është pikërisht vendi ku jetojnë gratë e mbërritura jashtë Sirisë, aty ku mbeten edhe ato shqiptare. /A2CNN/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!