Syri i Kaltër jepet me qera për vetëm 600 euro në muaj

Pak ditë më parë, Ministri shqiptar i Mjedisit, Blendi Klosi dhe drejtuesi i Komitetit të Pasurive Nënujore në UNESCO, Auron Tare, deklaruan se pika turistike e Syrit të Kaltër në Delvinë po degradohej.


Madje, ata deklaruan se rrezikohet edhe jeta e turistëve si pasojë e keqmenaxhimit.

Dy zyrtarët shqiptarë vendosën njëzëri se kjo pikë duhej të mbyllej dhe të menaxhohej më mirë. Por, vetëm disa ditë pas këtyre deklaratave, vjen lëvizja e radhës e qeverisë, e cila ka menduar që edhe këtë pikë turistike ta japë me qira.

Gazeta SHQIP ka publikuar disa dokumente, ku ministria e Financave ka hapur procedurën për dhënien me qira të ambienteve te “Syri i Kaltër”.

Duket se daljet publike të Klosit dhe Tares kanë qenë të programuara, pasi shumë shpejt ministria e Financave ka përfunduar në kohë rekord procedurat për dhënien me qira të këtyre ambienteve.

Sipas dokumenteve, qeveria ka vendosur “dhënien me qira të pasurisë shtetërore me numër 652/1 vol. 4, faqe 15, zk. 2758, me emërtimin ‘Kabina Druri, 5 copë’, me sipërfaqe totale 470 m2, nga të cilat 220 m2 nën objekt dhe 250 m2 sipërfaqe funksionale, me vendndodhje në Syrin e Kaltër, Delvinë, në administrim të shoqërisë ‘Albturist T.O’ Sha”.

Pra, nga dokumentet del shumë qartë se qeveria shqiptare po i jep privatit një nga pasuritë më të vlefshme të saj, e cila me një organizim të mirë nga strukturat shtetërore mund të kthehej në atraksion të fort turistik, për pushtetin lokal.

Në dokumente thuhet se “dhënia me qira e pasurisë bëhet me qëllim dhënien në përdorim të saj për ushtrimin e një veprimtarie ekonomike e cila të gjenerojë të ardhura dhe punësimin e banorëve të zones”.

Sipas saj, konkurrimi do të zhvillohet në datën 30 tetor (sot) në Ministrinë e Financave dhe vlera dysheme për detyrimin e qirasë, për fillimin e konkurrimit, është 72 500 lekë/në muaj apo vetëm 600 euro në muaj!