×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Tërmeti dhe Covid-19,Rama: Askush nuk do kishte mundur të rezistonte si ne

    Reporteri
    30 Tetor 2020 | 12:05

    Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ishte prezent në hapjen e kantierit të parë të rindërtimit të një lagjeje të re në Tiranë, që do të strehojë 11 mijë banorë, që humbën shtëpinë nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019.


    Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur se shtëpitë do të kenë kushte edhe më të mira nga ato që u shkatërruan nga tërmeti. Po ashtu, ai thekoi se asnjë parti tjetër nuk do të mund t’u rezistonte tërmetit dhe pandemisë COVID-19, siç ka bërë Partia Socialiste.

    “Unë e kam besuar dhe besoj çdo ditë e më shumë që çdo krizë është një mundësi e madhe. Nëse populli thotë të këqijat nuk vijnë vetëm për keq, atëherë kjo ishte një e keqe shumë e madhe në radhë të parë për ato familje që humbën të afërmit e tyre. Por e mira në këtë të keqe është që së bashku ne po ngrihemi më lart se sa ishim përpara se të ndodhte kjo tragjedi. Tirana dhe Durrësi pas rindërtimit do të jenë vende më të mira se para tragjedisë. Kjo zonë këtu ndoshta ishte në plan për t’u ngritur lart pas 10 ose 20 vitesh. Ne e prekim këtë zonë sot me ambicien që në këtë rrënoja të shumë dekadave të ndërtojmë në pak vite një qendër të re të Tiranës. 11 mijë banorë që do të jetojnë në këtë zonë jo si në ndonjë periferi të largët dhe me shumë mungesa por si një zonë ku do të jetë kënaqësi të jetosh dhe nga ana tjetër, jo më pak e rëndësishme vlera e pasurisë së patundshme do të jetë shumëfish më e lartë. Nëse dikush ka humbur një shtëpi dhe do të hyjë së shpejti në apartamentet e lagjeve të reja do disponojë një vlerë më të madhe pasurore. Në 26 nëntorin e shkuar ne u gjendëm përballë një sfide të jashtëzakonshme. Ndërkohë që mblodhëm forcat për ta përballuar këtë sfidë. Më pas u shfaq armiku i padukshëm që sot e gjithë vitin sfidon botën. Janë dy goditje njëra pas tjetrës që askush tjetër, marr parasysh që e dimë se kush janë aktorët dhe faktorët në stolin e rezervave të politikës shqiptare. Nuk do kishte mundur të rezistonte ashtu si ne po rezistojmë me forcë dhe durim. Covid mund të kishte përmbysur gjithçka”, tha Rama

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!