×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan: Tre persona të tjerë mbesin të plagosur, autori dorëzohet në Polici

    Reporteri
    21 Prill 2021 | 15:31

    Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, u ekzekutua sot me armë në Elbasan, teksa tre persona të tjerë mbetën të plagosur, prej të cilëve një punonjëse policie.


    Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30 në lagjen “5 maji”, ndërsa nuk dihet qartë dinamika dhe motivi i vrasjes. Rreth një orë pas ngjarjes, burime jo-zyrtare thanë për Euronews Albania se në polici është dorëzuar autori i dyshuar Arbër Papleka.

    Burime thanë për Euronews Albania se Papleka ka qenë punonjës policie, larguar nga detyra rreth dy vite më parë.

    Nga të plagosurit, punonjësja e policisë është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë dy të tjerët janë nisur për në Spitalin Universitar të Traumave në Tiranë.

    Xhuvani njihej në Elbasan pasi ka qenë drejtor i Drejtorisë Rajonale të Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në vitin 2015 qe arrestuar për abuzime me skemën e rimbursimit të ilaçeve.

    Ai ka qenë i angazhuar me disa parti politike. Më parë ka qenë funksionar i LSI-së në Elbasan, apo dhe Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Gazetari Merin Maçi tha se së fundmi nuk ka pasur të dhëna për angazhim specifik me ndonjë forcë politike.

    Në përplasjen mes simpatizantëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, më 14 mars, Pjerin Xhuvani qe pikasur në fotografi të denoncuara nga opozita teksa përshëndetej me Sekretarin e Partisë Socialiste Taulant Balla.

    Në një deklaratë për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, Xhuvani qe konsideruar i lidhur me krimin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!