×
  • Sport
  • Sport

    A do të shtyhet ndeshja e futbollit Kosovë – Izrael?

    Reporteri
    08 Tetor 2023 | 17:08

    Izraeli u përfshi së fundmi në një luftë të papritur me Palestinën pas sulmeve me raketa që i erdhën nga kjo e fundit mëngjesin e djeshëm.

    Dhe, përfshirja në luftë e shtetit izraelit mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në futboll.

    Kombëtarja e Izraelit ndodhet në një grup me Kosovën në kualifikimet e Euro 2024.

    Dy Kombëtaret është paraparë të takohen mes vete të dielën tjetër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në kuadër të Grupit I.

    Por, situata e fundit e krijuar në Izrael mund të bëjë që kjo ndeshje të shtyhet për një datë tjetër.

    Gjithashtu, edhe dueli mes Izraelit dhe Zvicrës, i paraparë të luhet të enjten që vjen në Tel Aviv, sipas të gjitha gjasave do të shtyhet për shkaqe sigurie, pas luftimeve që po zhvillohen në territorin izraelit.

    E Kombëtarja e Izraelit mund të mos udhëtojë fare as për në Kosovë pasi nuk ka siguri as në aeroportin e Tel Avivit për të udhëtuar kontingjenti i saj.

    Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi final i UEFA-s për këtë rast, i cili mund të merret nesër gjatë ditës.

    Ndeshja e parë mes Izraelit dhe Kosovës, e cila e kishte hapur kampanjën kualifikuese të Verdhekaltërve për kualifikim në garën që do të mbahet vitin tjetër në Gjermani, kishte përfunduar baras, 1:1.

    Kosova aktualisht është e pesta në grup me 4 pikë, prej tyre 4 barazim e 2 humbje, pa fitore deri tash.

    Kurse, Izraeli është i treti në tabelë me 11 pikë duke i regjistruar 3 fitore, 2 barazime e 1 humbje.

    Kosova i ka humbur gjasat për kualifikim në Euro 2024, ndonëse këtë e kishte synim në fillim të kampanjës kualifikuese, shkruan “Gazeta Express”.

    Krahas Izraelit, “Dardanët” do të përballen me Andorrën këtë të enjte në udhëtim.

    Ekipi i selektorit Primoz Gliha do të grumbullohet nesër, ndërsa stërvitjen e parë do ta zhvillojë të martën paradite në qendrën nacionale në Hajvali.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!