×
  • Sport
  • Sport

    Abdullahu në kombëtare: S’e kam pritur ftesën, as lojtarët kurrë s’kanë besuar që iu bashkohet një 16-vjeçar

    Reporteri
    17 Mars 2025 | 20:58

    Të premten e 14 marsit, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda çuditi të gjithë me përfshirjen e një emri në listën e kombëtares dardane për muajin mars.

    Mes yjeve të shumta të Kosovës, që jemi mësuar t’i shohim, aty figuronte edhe emri i Lirjon Abdullahut, 16-vjeçar.

    Ai është lojtari i dytë më i ri që është ftuar nga Kosova A, që nga Labinot Kabashi në tetor të vitit 2016.

    Abdullahu luan te Stuttgarter Kickers U17, derisa disa ditë para grumbullimit me “Dardanët”, ai e nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale në karrierë, me ekipin e parë të Stuttgarter Kickers.

    16-vjeçari sot është paraqitur për herë të parë në stërvitje me kombëtaren e Kosovës.

    Ai ka folur për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke e cilësuar si ndjenjë spektakolare ftesën e marrë nga Kosova për ndeshjet e marsit.

    “Është një ndjenjë shumë e mirë, unë këtë ftesë as nuk e kam pritur, si 16-vjeçar as nuk e kam pritur fare këtë ftesë. Jam shumë i kënaqur edhe me vetën që ma kanë dhënë këtë mundësi. Me kallxu vetën në kombëtaren A është një ndeshje shumë e mirë, spektakolare. As këtij s’e kanë pritë që një 16-vjeçar vjen te Kosova A, i falëndëroj të gjithë lojtarët për mikpritjen deri më tash. Dua t’i tregoj të gjithëve kush jam, çka di e qysh luaj futboll”, ka thënë Abdullahu për FFK-në.

    Kosova do të luajë dy ndeshje gjatë muajit mars, të dyja në kuadër të play-offit për Ligën B të Ligës së Kombeve.

    Kombëtarja dardane do t’i bëj konak Islandës më 20 mars në “Fadil Vokrri”, derisa më 23 mars do të luhet ndeshja e kthimit në Spanjë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!