Akil Gjakova ka dështuar të fitojë medalje në Lojërat Olimpike Tokio 2020, pasi u mund nga Rustam Orujov në gjysmëfinale të repesazhit të hënën.
Xhudisti nga Azerbajxhani e mundi kosovarin në luftë për një vend në finale për medaljen e bronztë në kategorinë deri në 73 kilogramë në Tokio.
Këtu marrin fund përpjekjet e Akilit për medalje olimpike.
Akili i humbi një luftë të barabartë pas një gabimi në tentim për ta hedhur në tapetë kundërshtarin duke përfunduar vetë në tapetë.
25-vjeçari i fitoi tri luftërat e para, para se të mposhtej në çerekfinale nga xhudisti mongol Tsendochir Tsogtbaatar, ku edhe e humbi mundësinë për medalje të artë apo argjendtë.
Ai pati mundësi të dytë për medalje, atë të bronztë, por nuk ia doli ta kalojë gjysmëfinalen e repesazhit, pavarësisht luftës së mirë që bëri ndaj azerit.
Akili duhet të pajtohet vetëm me vendin e shtatë në Tokio 2020 dhe pa medalje.
Por ai mund të krenohet me suksesin e motrës së vet, Norës, e cila e ka siguruar të paktën medaljen e argjendtë dhe do të luftojë për medaljen e artë në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Kosova i ka siguruar dy medalje olimpike në Tokio deri tani, të dyja në xhudo, pasi të shtunën Distria Krasniqi e fitoi të artën në kategorinë deri në 48 kilogramë.