Në nëntor të vitit të kaluar, Donis Avdijaj debutoi te skuadra elitare e Holandës, Emmen. Por, ende pa i mbushur tre muaj te Emmeni, Avdijaj po e shqyrton mundësinë e largimit nga klubi holandez për t’iu bashkuar skuadrës nga Qipro, Limassol.
Këtë e ka bërë të ditur vetë sulmuesi, që vite më parë ka qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Me Emmenin, Avdijaj ka kontratë deri në fund të këtij edicioni me mundësi vazhdimi edhe për një vit. Por ai pritet të largohet më shpejt, ashtu si nga Willem II, Trabzonspori dhe Hearti.
Në fakt pritjet nga Avdijaj kanë qenë shumë të mëdha, por ai nuk ka gjetur rehati në asnjë skuadër. U zhvillua te Schalke, derisa për një kohë luajti si huazim edhe te Sturm Grazi dhe Roda.
Futbollisti 24-vjeçar pranon se ka ndërruar shumë skuadra në vjetët e fundit. Por ai insiston se nuk e ka problem, meqë thotë se dëshiron të jetë pjesë e ndonjë klubi ku luan rregullisht.
Avdijaj e ka humbur vendin e titullarit te Emmeni, skuadrës inferiore të kampionatit holandez. Nuk ka luajtur asnjë minutë në dy ndeshjet e fundit. Kontratën te Emmeni, Avdijaj e fitoi nëpërmjet provave, ndërsa në prova ishte raportuar se ka qenë edhe te Pescara, që garon në Serie B të Italisë.
“Kam mundur të qëndroj pa lëvizur, por ky nuk është qëllimi im. Kam dashur të gjej skuadër ku luaj rregullisht. Nganjëherë nuk ka të bëjë kualiteti, por mënyra dhe sistemi që zgjedh skuadra të luajë. Unë jam lojtar ofensiv, kurse skuadra po luan lojë defensive, gjë që nuk përshtatet me mënyrën e lojës sime. Ka gjasa që lëvizi sërish. Jam këtu që dy muaj e gjysmë. Por nga Limassoli ka një interesim. Është një skuadër interesante për mua. E shoh si opsion të mirë, sepse është në luftë për titull. Është tri pikë larg liderit, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Emmeni dhe trajneri janë në situatë të vështirë dhe kjo mua nuk po më përshtatet”, ka thënë Avdijaj të enjten për “Kohën”.
Avdijaj nuk ka shënuar në asnjë prej dhjetë ndeshjeve të luajtura në kampionat dhe në kupë të Holandës.
“Gjithçka që ka të bëjë me mua është në rregull. Jam shumë i lumtur, por dëshira ime është që të luaj. Ky është synimi im, të jem pjesë e një klubi ku luaj. Do të gjej rehati. Do ta kërkoj derisa të gjej klub, pjesë e të cilit do të jem për kohë të gjatë. Kam ende kohë, jam vetëm 24-vjeçar. Shumë mund të thonë se Avdijaj po i ndërron shpesh skuadrat. Por shumë të tjerë do të thoshin pse po qëndron në klub kur nuk po luan. Në moshën time është e rëndësishme të luaj rregullisht. Nuk është njëjtë sikur të qëndrosh te Milani rezervist dhe te Spliti të luash rregullisht”, ka theksuar Avdijaj.
Avdijaj para se të luante për Kosovën, ka qenë pjesë e përfaqësueseve të reja të Gjermanisë. Për Kosovën ka shënuar dy gola në gjashtë paraqitje. Ai shpreson të stabilizohet dhe në të ardhmen të kthehet sërish te Kosova.
“Më herët kam biseduar për situatën time edhe me trajnerin Bernard Challandes. Nëse unë kthej formën time të dikurshme, për të cilën nuk kam dyshim që do ta gjej shpejt, do të kthehem te Kosova”, ka thënë Avdijaj. Ai asnjëherë nuk ka vuajtur nga mungesa e optimizmit. Por golat e stabiliteti po i mungojnë për kohë të gjatë. Ai ishte bërë i njohur për klauzolën rekorde që ia kishte vënë Schalke. Por shifrat e dikurshme milionëshe që përmendeshin, tani janë shumë të largëta për Donisin.