Babai i futbollistit serb thotë se i biri do të luajë për Kosovën, për përjashtimin nga puna nuk flet

Babai i futbollistit të Flamurtarit, Ilija Iviq, Dushani, ka konfirmuar se i biri i i tij do të vazhdojë të luajë për Flamurtarin dhe për Kosovën nëse ftohet, por nuk ka pranuar të flasë për lajmin se ai dhe bashkëshortja e tij, të premten, janë larguar nga vendet e tyre të punës në Graçanicë shkaku i të birit.


Në një bisedë për Koha.net, ai ka thënë se të shtunën do të sqarohet për këtë temë.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar të premten se çifti bashkëshortor Iviq është përjashtuar nga puna, pasi i biri ka pranuar ftesën nga Përfaqësuesja U19 e Kosovës.

Paraprakisht, mediat serbe nisën sulm të ashpër ndaj lojtarit dhe familjes së tij.

“Nuk mund të flasë asgjë për këtë sonte. Nesër do të flasim. E kam shtëpinë plot dhe nuk jam në gjendje të flas”, ka thënë Dushan Iviq.

Ai është punëtor në shkollën Elektro-teknike në Sushicë, kurse gruaja është shërbyese civile në Komunën e Graçanicës.

Drejtori i kësaj shkolle, në një deklaratë për “Radio KIM”, Milan Dimitrijeviq, ka mohuar se ka përjashtuar Dushan Iviqin. Madje, ai thotë se as që i ka ardhur një kërkesë e tillë. E për bashkëshorten e tij, “Radio KIM” ka shkruar në uebfaqen e vet, “se as që punon në Komunën e Graçanicës”.

Koha.net, jozyrtarisht ka mësuar se ai dhe bashkëshortja e tij, vërtetë janë përjashtuar nga puna.

Futbollisti 17 vjeç, Ilija Iviq, ka kohë që luan për Flamurtarin, por vetëm tash pasi ka marrë ftesën nga Kosova, është shkaktuar bujë e madhe, duke u quajtur edhe tradhtar nga mediat në Serbi.

E Dushan Iviqi, ngul këmbë se i biri i tij do të vazhdojë të vesh fanellën e Flamurtarit edhe në të ardhmen.

“Ai është pjesë e Flamurtarit dhe të do të vazhdojë të luajë për të”, ka thënë ai.

E për Kosovën, a do të luajë?

“Pse jo”, ishte përgjigjja e tij e shkurtër.