Orian Goren mund të jetë një nga emrat e rinj në listën e lojtarëve që Hansi Flick do të publikojë nesër për El Clasicon. Nëse përfshihet në skuadër, mesfushori i ri do të jetë pjesë e ekipit të parë të Barcelonës për herë të parë në përballjen më të madhe të futbollit spanjoll.

Flick e njeh mirë talentin izraelit, i cili ka marrë pjesë në përgatitjet parasezonale të ekipit të parë dhe ka luajtur edhe në Trofeun Joan Gamper.

Mesfushori, i lindur në vitin 2009, është stërvitur me ekipin e parë të premten dhe të shtunën. Një ftesë e mundshme për El Clasicon do të përbënte një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e tij.

Reklamë

Goren është shndërruar në një nga lojtarët e rëndësishëm të Barça Atletic, ku luan rregullisht në formacionin titullar në mesfushë. Ai ka munguar vetëm kur është grumbulluar me përfaqësuesen e të rinjve të Izraelit, gjatë pushimit të fundit ndërkombëtar, pavarësisht se është vetëm 17 vjeç.

Nga Maccabi Petah Tikva te La Masia

Një ftesë e mundshme për ekipin e parë të Barcelonës është lehtësuar edhe nga lëndimi i Dani Olmos, që ka krijuar nevojë për alternativa shtesë në skuadër.

Goren iu bashkua akademisë së Barcelonës, La Masia, në vitin 2023, pasi u transferua nga klubi izraelit Maccabi Petah Tikva. Pas paraqitjeve me ekipet e të rinjve, këtë sezon ai u ngjit te Barça Atletic, skuadra e dytë e klubit katalunas.

Reklamë

Përfshirja e mundshme në listën për El Clasicon do të ishte dëshmi e progresit të shpejtë të mesfushorit, i cili, në moshën 17-vjeçare, mund të ketë mundësinë të jetë pjesë e një prej ndeshjeve më të mëdha të futbollit botëror.

Vendimi përfundimtar pritet të merret nesër (e diel), kur Hansi Flick të publikojë listën e lojtarëve për përballjen ndaj Real Madridit./Telegrafi/