Barcelona prezantoi qendërmbrojtësin Jules Kounde, por klubi tani mund të nis misionin për transferimin e një tjetër qendërmbrojtësi.
Sipas “SPORT”, klubi katalunas do të bëjë një ofertë në orët e ardhshme për Inigo Martinezin.
Kontrata e tij me Athletic Bilbaon skadon më 30 qershor 2023, teksa nuk ka ndonjë marrëveshje të arritur për rinovim.
Kjo situatë mund të shtyj klubin ta shesë 31-vjeçarin, i cili po kërkohet nga Barcelona.
Megjithatë, Barça duhet të shesë disa futbollistë fillimisht dhe pastaj të transferojë edhe Martinezin. Edhe presidenti i klubit, Joan Laporta, deklaroi së fundmi se për të nënshkruar me futbollistë tjerë, duhet shitur disa.
Trajneri Xavi, që ka luajtur kundër Martinezit, thuhet se e pëlqen lojtarin dhe e dëshiron atë në “Camp Nou”. Gjithashtu, përshtatja e tij nuk shihet se do të ishte problem, pasi lojtari ka përvojë të madhe në futbollin spanjoll.
Qendërmbrojtësi spanjoll karrierën e ka filluar te Real Sociedadi, ku debutoi me ekipin e parë në vitin 2011. Ai në vitin 2018 kalon në “San Mames” për 32 milionë euro.
Që nga ajo kohë, Martinez ka luajtur në 158 ndeshje për baskët – teksa ka regjistruar edhe 19 paraqitje me Kombëtaren A të Spanjës.