Bernard Challandes me anë të një video-mesazhi iu është drejtuar popullit të Kosovës, i cili po si gjithë vendet tjera po ballafaqohet me pandeminë e Koronavirusit
Në një situatë normale sot do të ishim duke menduar për ndeshjen e play-offit që Kosova do të duhej ta zhvillonte nesër me Maqedoninë e Veriut, shkruan Reporteri.net
Por, pandemia që tronditi botën ka bërë që aktualisht të ndalet sporti në përgjithësi.
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes me anë të një video-mesazhi iu është drejtuar popullit të Kosovës duke thënë se këtë periudhë do ta kalojmë së bashku dhe më pas do t’i kthehemi ëndrrave dhe qëllimeve tona.
“Përshëndetje popull i Kosovës, shpresoj që jeni mirë dhe me shëndet të plotë, në këto kohë të vështira, jo vetëm për Kosovën, por për tërë Evropën, përfshirë edhe Zvicrën, që po përballet me koronavirusin. Prandaj në këto kohë të vështira, dëshiroj t’iu bëjë thirrje të qëndroni në shtëpi dhe të qetë, për sigurinë shëndetësore të juaj dhe familjeve tuaja. Ne do të kalojmë këtë së bashku, por derisa të vijë ajo ditë, është e rëndësishme të zbatoni masat e ndërmarra nga institucionet tuaja shtetërore, t’i respektoni ato masa dhe kësisoj të luftojmë së bashku këtë virus, të cilin do ta mposhtim të gjithë së bashku si një ekip. Ne do t’ia dalim dhe pastaj do të kthehemi për të arritur qëllimet dhe ëndrrat tona,”.