Armando Broja ishte lojtari i përzgjedhur për konferencën e sotme për shtyp, në prag të ndeshjes së radhës së Chelseat në Ligën e Kampionëve, që e zhvillon nesër kundër Dinamo Zagrebit.
Kishte pyetje për të se si po përshtatej si një opsion nga banka rezervë te “Blutë”, teksa sulmuesi shqiptar këmbënguli se kjo është e gjitha pjesë e procesit të zhvillimit.
Ai vuri në dukje se qëllimi i tij është të përmirësohet dhe se nuk ka shumë vende më të mira për ta bërë këtë sesa në klubin e tij të fëmijërisë.
“Unë e shoh atë si një mundësi masive për mua dhe familjen time. Ky është klubi im i fëmijërisë. Më pëlqen të luaj për Chelsean, është një hap i madh nga vendi ku isha sezonin e kaluar për të ku jam tani”, deklaroi Broja.
Reprezentuesi i Shqipërisë ishte i lidhur me shumë klube në afatin kalimtar të verës, por ai vendosi të mbetet në “Stamford Bridge” për të luftuar për një vend në formacionin bazë.
21-vjeçari po merr më shumë minuta pas ardhjes së Graham Potter. Ai është paraqitur në 14 ndeshje deri më tani (në Premierligë dhe Ligën e Kampionëve), duke regjistruar në total 272 minuta – teksa ka shënuar një gol.
Armando Broja në shtator të këtij viti e zgjati kontratën e tij me Chelsean, e cila është e vlefshme deri më 30 qershor 2028.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.