Legjenda e Juventusit, Antonio Cabrini, beson se Cristiano Ronaldo është lojtar më i mirë sesa Lionel Messi për shkak se ai e ka dëshmuar veten si lider i vërtetë brenda jashtë fushës së lojës.
Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi i kanë fituar dhjetë Topa të Artë që nga viti 2008, duke e dominuar botën e futbollit për më shumë se një dekadë.
Messi, që individualisht i kryeson garat për gola, është edhe ndër lojtarët me më së shumti asiste. Megjithatë, ai nuk ka arritur të fitojë trofe me Argjentinën, përderisa Ronaldo u tregua i suksesshëm me Portugalinë në Evropianin e vitin 2016.
Cabrini, i cili e ka fituar gjashtë herë titullin e Serisë A me Juventusin, thotë se i respekton të dy futbollistët për arritjet e mëdha të tyre, mirëpo beson se sulmuesi portugez i Juventusit është më lider dhe kjo e bën dallimin mes atyre të dyve.
“Ronaldo besoj se është lojtari më i mirë në botë. Natyrisht, fokusi në futboll gjatë dhjetë vjetëve të fundit ka qenë te rivaliteti mes tij dhe Messit. Mendimi im personal është se Ronaldo është më i mirë sesa Messi, kryesisht sa i përket aftësisë së lidershipit”, ka thënë Cabrini.
“Ronaldo e ka dëshmuar se është lider i vërtetë në shumë raste dhe jo vetëm në fushë. Ai është lider edhe në jetën e tij, si dhe në sporte. Me të gjithë respektin që e kam për Messin, në disa raste ai s’ka arritur ta dëshmojë veten”.
“Por, përkundër kësaj që sapo e thash, ne po flasim për dy futbollistë të mrekullueshëm. Mendoj se të gjithë mund të pajtohemi me këtë gjë”. Messi këtë sezon e fitoi titullin e dhjetë të La Ligës me Barcelonë, si dhe e ka fituar edhe Këpucën e Artë të Evropës për herë të gjashtë në karrierë, më shumë se cilido lojtar tjetër në histori të futbollit.