Calderon: Reali e do Salahun, por nuk ka fonde për blerjen e tij

Te Real Madridi janë të interesuar për transferimin e Mohamed Salah, mirëpo nuk kanë fonde për anësorin e Liverpoolit, ka deklaruar ish-presidenti i Los Blancos, Ramon Calderon.


Egjiptiani nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e kalimit te skuadra mbretërore, madje ka folur me admirim për Realin dhe Barcelonën.

Salah i ka edhe dy vite kontratë me Redsat, ndërsa Calderon beson se klubi spanjoll do të përpiqet ta transferojë në La Liga, transmeton telegrafi.

“Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe një golashënues. I ka ndihmuar Liverpoolit duke dhënë maksimumin, mirëpo nuk besoj se ata do ta lejojnë të largohet”.

“Ndërsa është e pritshme se nëse e mendojnë (shitjen), atëherë do ta bëjnë për shumë para”.

“Salah është i kërkuar, padyshim, nga Real Madridi, por Liverpooli do të kërkonte shumë pra dhe nëse ajo marrëveshje kompletohet, do të ishte vendimtare”.

“Është një lojtar me potencial fantastik dhe secili klub dëshiron të ketë një talent të tillë, por sa i përket Real Madridit, nuk mendoj se i kanë mjetet financiare për transferimin e Salah”, ka deklaruar Calderon për ON Time Sports.