Kosova do të luajë dy ndeshje shumë të rëndësishme në kuadër të kualifikimeve të Euro 2020, më 7 shtator ndaj Çekisë në shtëpi dhe më pas më 10 shtator kundër Anglisë
Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, për këto dy takime nuk do të mund të llogarisë në pesë lojtarë të formacionit startues, shkruan Reporteri.net
Arbër Zeneli, Milot Rashica, Benjamin Kololli, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala nuk do të mund ta ndihmojnë Kombëtaren e Kosovës për këto ndeshje shkaku i lëndimeve.
Challandes ka folur për këto mungesa në konferencën për shtyp që sot e ka mbajtur në stadiumin Fadil Vokrri.
“Nuk jam budalla. E di sa vështirë është me këto mungesa. Edhe Franca po të luante pa Mbappen, Griezmannin, Pogban, Kanten e Hernandez as ajo s’do të ishte e njëjtë. I njëjti parim vlen edhe për Kosovën. Na mungojnë pesë lojtarë të përbërjes së parë”, ka thënë Challandes.
“Si trajner mund të qaj, të ankohem për mungesat ose të gjej zgjidhje. Sigurisht, kam zgjedhur të gjej zgjidhje. Duhet t’i jap besimin lojtarëve që të punojnë shumë. Mendoj se nuk mund të gjej zgjidhje, duke zëvendësuar lojtarë kokë më kokë. Kemi vetëm një zgjidhje. Është reagim kolektiv. Punë e përbashkët. Duhet të jemi kompaktë, jo vetëm në fushë, por me mentalitetin tonë,” përfundoi selektori i Kosovës. /Reporteri.net/