Drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, ka këmbëngulur se nuk është i brengosur se po hetohet për mashtrim në testin e Luis Suarezit për gjuhën italiane dhe thotë se do ta bënte të njëjtën përsëri.
Duke folur për mediat italiane të shtunën para derbit mes Juventusit dhe Torinos, Paratici u pyet për hetimin që ka nisur ndaj tij për mashtrim dhe gënjim, transmeton Gazeta Express.
Suarez kishte arritur marrëveshje me Juventusin në verë dhe për ta arritur kalimin në Torino i nevojitej pasaporta italiane. Prandaj, sulmuesi uruguaian, iu nënshtrua provimit të gjuhës italiane, i cili doli të ishte i kurdisur pasi Suarezit i ishin treguar paraprakisht pyetjet që do të binin në provim.
Paratici po hetohet për mashtrim dhe për gënjimin e autoriteteve në testin e kurdisur të Luis Suarezit për gjuhën italiane në Perugja.
“Klubi e sqaroi dje qëndrimin tonë, prandaj nuk kam çfarë të shtoj. Ne nuk jem të brengosur”, tha Paratici.
Paratici i kishte telefonuar ministres Paola di Micheli për ta pyetur se çfarë i nevojitej Suarezit për ta marrë pasaportën italiane, e cila i duhej për t’u transferuar në Juventus.
“Paola Di michelin e kam mike që prej fëmijërisë. Ne jetojmë të njëjtin qytet, edhe ajo e qartësoi qëndrimin e saj, prandaj nuk kemi pse të brengosemi”, shtoi ai.
Pastaj, Paratici u pyet nëse do ta bënte të njëjtën përsëri.
“Patjetër se po. Natyrisht se po. Nuk mendoj se ta bësh një pyetje është e pavend. Në fakt, më mirë është ta pyesësh dike që di më mirë se ti. Të bësh pyetje nuk është krim”, këmbënguli ai.