×
  • Sport
  • Sport

    Dukagjini humb ndeshjen në tavolinë ndaj Vushtrrisë, nxehet gara për hyrje në Superligë

    Reporteri
    13 Maj 2019 | 19:39

    Dukagjini i Klinës ka humbur në tavolinë përballjen që dje e fitoi në fushë ndaj Vushtrrisë në Ligën e Parë me rezultat 4 me 3 në xhiron e 28-të të kësaj lige.


    Kjo ka ndodhur pas një ankese që ka bërë klubi i Vëllaznimit nga Gjakova, dhe e miratuar nga Komisioni i Garave të Ligës së Parë.

    Në arsyetim theksohet se lojtari i Dukagjinit, Granit Elezaj, ishte aktivizuar në lojë edhe pse kishte marrë katër kartonë të verdhë në ndeshjet paraprake.

    Në konstatim theksohet se lojtari ishte ndëshkuar me të verdhë në javën e parë në ndeshjen Dukagjini – Fushë Kosova, në javën e 22-të në ndeshjen Dukagjini – Vllaznia, në javën e 23-të në ndeshjen Vitia – Dukagjini dhe në xhiron e 27-të në ndeshjen ndaj Bashkimit. Pas këtyre kartonëve ai është dashur të pushojë në javën e 28-të.

    “Por i njëjti është aktivizuar në lojë, andaj kemi shkelje të Propozicioneve, pikërisht të nenit 53, paragrafi 1, prandaj ankesa e KF Vëllaznimi miratohet si e bazuar dhe ndeshja KF Dukagjini – KF Vushtrria, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 për KF Vushtrria”, thuhet në njoftim të Komisionit të Garave.

    Pas këtij vendimi, Vushtrria matematikisht bëhet fituese e Ligës së Parë, ndërsa Dukagjini rrezikon kualifikimin direkt.

    Tash Dukagjini është i dyti me 56 pikë, vetëm një më shumë se Besa që është e treta dhe vetëm dy më shumë se Vëllaznimi që është i katërti, me dy xhiro deri në fund të sezonit. Pozitat tre dhe katër çojnë në barazh.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!