Superliga e Kosovës është në rrugë të mirë për të rinisur sezonin.
Skuadrat që garojnë në Superligën e Kosovës do të kenë mundësi që të fillojnë stërvitjet e tyre, duke filluar nga sot.
Kështu ka konfirmuar për lajmi.net edhe Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Meqenëse IKSHPK dhe Zyra e OBSH-së në Kosovë kanë konstatuar se situate epidemiologjike konsiderohet me risk të reduktuar krahasuar me situatën paraprake, Ministria e Shëndetësisë ka lejuar mbajtjen e aktiviteteve stërvitore për Federatën e Futbollit të Kosovës, përkatësisht klubet futbollistike”, ka thënë Hoti.
Tutje, ai ka treguar edhe rregullat që duhet respektuar nga skuadrat që do të kthehen në fushat e blerta.
“Këto aktivitete do të zhvillohen në pajtueshmëri me Udhëzimin për procesin stërvitor të dakorduar midis FFK-së, MSH-së e IKSHPK-së dhe duke respektuar edhe Udhëzuesin e Përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19”, ka shtuar drejtori i departamentit për informim në MSh. “Pra, prej periudhës 18 maj deri më 1 qershor, në pajtim me këta udhëzues, klubet e futbollit do të mund të zhvillojnë vetëm aktivitete stërvitore, për të qenë gati që ndeshjet t’i zhvillojnë në qershor, në varësi të situatës epidemiologjike”.
“Gjatë zhvillimit të aktiviteteve duhet zbatuar masat mbrojtëse, distanca fizike dhe mbajtja e higjienës sipas kushteve të përcaktuara në Udhëzues”.
“FFK do ta ndaj udhëzuesin e klubet futbollistike dhe do t’u jap atyre instruksione shtesë lidhur me mbarëvajtjen e stërvitjeve” ka thënë mes tjerash Hoti për lajmi.net.
Ndërkohë, debati është i madh edhe në Kosovë nëse duhet filluar ose jo sezoni, njësoj si në të gjitha vendet në Evropë.
Ka disa zëra që janë kundër një rikthimi të mundshëm, përfshirë Ismet Munishin, trajnerin e KF Ballkanit.
Në anën tjetër, skuadra e Prishtinës është nga më të zëshmet që kërkon me çdo kusht rifillimin e sezonit. Po ashtu, edhe nga skuadra e Gjilanit janë pro rifillimit të sezonit.