×
  • Sport
  • Sport

    Edi Rama ia uron Lorik Canës ditëlindjen, paralajmëron bashkim kombëtar

    Reporteri
    27 Korrik 2020 | 15:02

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka bërë një urim të veçantë futbollistit kosovar Lorik Cana tashmë të pensionuar, që i kishte mbrojtur ngjyrat e kombëtares shqiptare.


    Në urimin për 36 vjetorin e lindjes duke e quajtur “kingu kosovar” dhe duke shpalosur edhe detaje nga bisedat që ka pasur me të, Rama ka shkruar se Cana më tepër i duket si një “prijës ushtarak i etur për fitore të vështira, e jo me një sportist të ngopur me lavdinë e tij”.

    Rama tutje duke folur për tërheqjen e Canës nga fusha, ka thënë se ka bindjen se “prijësi i hijshëm”, sic e quan ai Canën, një ditë do të kthehet për t’i udhëhequr futbollistët kueqezinjë ose verdheblutë duke e përmendur edhe bashkimin kombëtar.

    “Duke ia uruar sot ditëlindjen kapitenit të paharrueshëm të kuqezinjve, nuk e di pse kam bindjen se nuk do të jetë e largët dita kur prijësi i hijshëm, do të zbresë përsëri në arenë për të udhëhequr kuqezinjtë e Shqipërisë a verdheblutë e Kosovës apo kushedi, pse jo, një armatë të trojeve të bashkuara në të ardhmen, në ndonjë luftë sportive të paharrueshme përsëri. Amen! #TëRRALLË” ka shkruar Rama.

    Më poshtë mund ta lexoni të plotë dedikimin e Kryeministrit.

    #EDHE100?

    LORIK CANA është ndoshta i vetmi bartës i fanellës kuqezi apo të paktën i vetmi që unë njoh, që fushën e blertë të futbollit dhe fushën e historisë së shqiptarëve, i ka jetuar si dy gjysmat e së njëjtës fushë të pasionit të tij. I dhënë tërësisht pas sportit më popullor në botë, qysh në fëmijëri, falë talentit, vullnetit dhe një babai të paepur në ëndrrën për ta parë djalin në majat e lojës me top, Loriku u ngjit lart e la gjurmë në çdo skuadër ku luajti. Ai mbajti shiritin e kapitenit në shpellën e ujqve francezë të Olimpikut të Marsejës dhe u bë simboli i Kombëtares së shqiponjave të mbledhura nga tërë trojet shqiptare, për ta çuar flamurin kuqezi për herë të parë në histori në Finalet e Europës.

    Po çka e bën krejt të veçantë kingun kosovar, në rrugën e mundimshme drejt majave të futbollit, ku pati jo njëherë dhe taksiratin e dëmtimeve fizike që do kishin shtrirë përtokë edhe një elefant, është pasioni i tij për historinë, origjinën, gjuhën, luftrat, përpjekjet e shqiptarëve në shekuj. Nuk e di a ishte fanella kuqezi që e çoi Lorikun tek leximet mbi betejat e shqiptarëve në shekuj apo ishin leximet e betejave që e bënë atë ta përjetonte fanellën si koracë lufte për Shqipërinë në fushën e betejave sportive, por sa herë e kam takuar e folur me të për Kombëtaren, aq herë më është dukur sikur flisja me ndonjë prijës ushtarak të etur për fitore të vështira, e jo me një sportist të ngopur me lavdinë e tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!