×
  • Sport
  • Sport

    Edmond Azemi i jep fund karrierës mes lotëve

    Reporteri
    18 Qershor 2021 | 18:44

    Mes emocioneve dhe lotëve, ikona e Sigal Prishtinës, Edmond Azemi, i ka dhënë fund karrierës së tij si basketbollist aktiv.


    Tërheqjen nga basketbolli e ka bërë nëpërmjet një konferencë për media, të mbajtur të premten në Pallatin e Sporteve në Prishtinë.

    Kapiteni i kryeqytetasve ka njoftuar se nuk ka qenë aspak e lehtë të tërhiqej nga basketbolli aktiv.

    Basketbollisti me më së shumti trofe të fituar në basketbollin kosovar ka falënderuar të gjithë për mbështetjen e dhënë gjatë karrierës së tij të gjatë. Pjesë e Prishtinës, Azemi ka qenë prej vitit 1999, ndërsa ka luajtur edhe për disa skuadra të tjera jashtë vendit.

    “Nuk ka qenë lehtë, besoni sepse gjithmonë më pyesnin gazetarët kur do të pensionohesh nga basketbolli aktiv, e unë gjithmonë e shtyja edhe një vit. Besoj që është koha e duhur që kam vendosur për të ardhmen time, për t’i ndihmuar klubit, dhe të rinjve”, deklaroi Azemi.

    Përkundër pensionimit, Azemi do të vazhdojë ta japë kontributin e tij për klubin “bardhekaltër”. Edo është emëruar drejtor gjeneral në klubin kryeqytetas.

    “Krejt çka kam dhënë për këtë klub, nuk dua të them që do të shuhet, por dua ta vazhdoj në një mënyrë tjetër, si drejtues i klubit, bashkërisht me presidentin e klubit dhe dy nënkryetarët, që duhet falënderuar për besimin që ma kanë dhënë, dhe e respektoj domethënë këtë vendimin e tyre”, u shpreh Azemi.

    Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe legjenda e basketbollit Ferid Zekolli, presidenti i klubit, Burim Maraj, nënkryetari i klubit, Shkumbin Jakupi, si dhe tifozët e Prishtinës “Plisat”.

    Gjatë karrierës së tij, Azemi në nivel përfaqësuesesh luajti me Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa në nivel klubesh, përveç Prishtinës, luajti edhe te Valbona MZT Skopje dhe Liria nga Shkupi.

    Edo pensionohet nga basketbolli si basketbollisti me më së shumti trofe të fituar në Kosovë. Ka fituar plot 36 trofe, 12 tituj kampioni në Kosovë, 14 kupa të Kosovës, shtatë superkupa, dy liga ballkanike si dhe Superligën e Islandës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!