Damien Comolli nuk është se kishte bërë punë të mirë te Liverpooli, përveç një vendimi, që më pas doli të ishte i duhuri.
Në verën e vitit 2011 francezi, që ishte drejtor sportiv i Liverpoolit në atë kohë, kishte kontaktuar me kompaninë “Prozone”, një nga ofruesit kryesorë të të dhënave të Premier Leagues, me një kërkesë të vetme: “Më jepni një emër”, shkruan Goal.
Comolli kërkonte të përmirësonte dhe zgjeronte Departamentin e analitikës së klubit. Ai kishte nevojë për dikë të aftë jo vetëm për të marrë dhe interpretuar të dhëna, por për të përkthyer dhe komunikuar ato të dhëna qartë për trajnerët dhe lojtarët e ekipit. Ai donte dikë, siç thoshte ai, “me një prapavijë futbolli dhe një sfond analitik”, transmeton KOHA.
Kushdo që ishte kontakti i Comollit, Liverpooli ia ka një borxh të madh atij.
Ky “emër” ishte Michael Edwards, atëbotë një analist pak i njohur që punonte si pjesë e një ekipi të vogël, nën trajnerin Harry Redknapp te skuadra e Tottenhamit.
Comolli e thirri atë, u takuan dhe i pëlqeu ideja. Pjesa tjetër, siç thuhet, është histori.
Në ditët e sotme, Edwards është një nga figurat më me ndikim te Liverpooli. Ai është gjeniu i fshehur që përmes vendosmërisë, kontakteve dhe aftësive ka ndihmuar në ndërtimin e një prej ekipeve më të forta të futbollit në botë. Ngritja e tij ka qenë e shpejtë.
Drejtori i parë sportiv te Liverpooli
Duke qenë se erdhi si nëpunës i Comollit, si udhëheqës i performancës dhe analizave, ai e tejkaloi me lehtësi njeriun që e kishte punësuar. Ai u bë vetë drejtori i performancës teknike, e më pas në nëntor të vitit 2016, si drejtori i parë sportiv i Liverpoolit.
Zyra e tij në Melwood është ngjitur me atë të trajnerit Juergen Klopp, dhe dyshja ka krijuar një lidhje të fortë që nga ardhja e gjermanit te Liverpooli, në tetor të vitit 2015. Së bashku me Mike Gordonin, presidentin e “Fenway Sports Group”, ata formojnë bazën e vërtetë të energjisë në klub.
Klopp bisedon me të dy në baza ditore, dhe janë ato marrëdhënie, besimi që ekziston brenda tyre, që i ka lejuar Liverpoolit të lulëzonte në fushë viteve të fundit. Marrëdhënia e Edwardsit me Brendan Rodgersin, paraardhësin e Kloppit, ishte e përzier, por jo më e mira.
Rodgers, pas emërimit të tij në vitin 2012, ishte kundër idesë për të punuar nën një drejtor futbolli. Ai donte kontroll mbi transferimet, ai donte t’i sillte vetë lojtarët e tij. Ai dëshironte “linja të qarta komunikimi me pronarët”.
“Unë gjithmonë mendoj se menaxheri është drejtori teknik”, kishte deklaruar Rodgers. “Kjo përgjegjësi i takon vetëm trajnerit”.
Liverpooli nën udhëheqjen e Rodgersit ishte mesatar, pasi ai në njërën anë dhe Edwards me ekipin e tij, në anën tjetër, shpesh gjendeshin në rrugë të kundërta.