Po mbyllet muaji i dytë i afatit të kalimeve të verës, me disa ekipe që po dëshpërojnë seriozisht pavarësisht problemeve të mëdha me grupin aktual të lojtarëve.
Dëshpërimin më të madh pritet ta dhurojë Real Madridi i Zinedine Zidane.
Klubi nga Madridi deri tash e ka përforcuar ekipin me Eden Hazardin, Luka Joviqin dhe Eder Militaon. Por, problemet në këtë klub janë aq të mëdha sa të 11 pozitat shartuese duken mjaft të dobëta.
Portieri Courtois kaloi sezon të dobët. Ashtu edhe dy qendërmbrojtësit. Edhe mbrojtësit e krahut. Edhe mesfushorët. Edhe sulmuesit. E vetmja pikë e fortë te “të Bardhët” ishte Casemiro i qendrës së mesfushën, shkruan Periskopi.
Kësisoj, Zidane ka gjasa që të shkarkohet brenda 4 muajve të parë, ndërsa Real Madridi as që mund të shpresojë për më shumë se vendin e tretë.
Ekipi i dytë që pritet të dështojë në formë spektakulare është Bayern Munchen. Klubi më i madh gjerman nuk ka shpenzuar shuma marramendëse për ta rifreskuar ekipin që për pak sa nuk e humbi titullin e Bundesligas, që e ka të sigurt zakonisht, dhe nuk ishte askund në Champions League.
Ekipi i Niko Kovaq tashmë përballet edhe me plakjen. Ribery dhe Robben nuk janë pjesë e tyre, ndërsa Robert Lewandowski po bëhet ngadalë një veteran i papërdorshëm.
Edhe Thiago Alcantara, lojtari kryesor i klubit ka mbetur pa kreativitet ndërkaq që mbrojtja është tepër e dobët, me komandantin Jerome Boateng tepër të cënueshëm.
Veç kësaj, Lucas Hernandez është marrë nga Atletico Madridi por është i papërvojë dhe nuk pritet të ketë rol vendimtar. I plakur është edhe Manuel Neuer që pas lëndimit të tmerrshëm të pësuar para një viti, nuk është më i njëjti.
Paris Saint Germain i Thomas Tuchel përballet me probleme të rënda, filluar nga plakja e lojtarëve kryesorë, si Cavani e Thiago Silva, e deri te lloj-llojshmëria e skuadrës dhe jokompaktësia. Ata e kanë edhe Mbappen dhe pritet ta mbajnë Neymarin, por në Champions League do të jetë problematike të gjendet një formacion kompakt startues, që zakonisht i fiton ndeshjet vendimtare.
Juventus e ka fituar tetë herë rresht Serinë A dhe ka qenë dy herë finalist i Ligës së Kampionëve. Ata e kanë në përbërje edhe Cristiano Ronaldon. Por, ky i fundit është 34 vjeçar dhe asnjë lojtar tjetër nuk duket në horizont për të qenë kryesori në këtë ekip që do të udhëhiqet nga madhështori Maurizio Sarri.
Chielini është mbrojtësi më i mirë i klubit, por tashmë ai i ka mbushur 36 ndërsa Bonucci edhe pse pak më i ri, duket krejtësisht i pasigurt. De Ligt është ende i ri, ndërkaq “Zonja e Vjetër” nuk ka bërë investimet e duhura as në mesfushë.
Ramsey nuk meriton që të luajë në këtë nivel, e as Rabiot që u transferua nga Paris St-Germain. Mbetet të shihet nëse do të kemi ndonjë prurje të re, por largimi i supertalentit Moise Kean pritet t’i kushtojë shumë Sarrit. Juventus për herë të parë nuk do ta fitojë Serie A-në dhe nuk do të shkojë as deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Ndërkohë që nuk do të përbëj aspak befasi as dështimi që pritet ta përjetojnë Arsenali, AC Milani dhe AS Roma.