×
  • Sport
  • Sport

    EKSKLUZIVE: Rrëfehet portieri kosovar që mbeti gojëhapur kur e pa për herë të parë talentin e Milot Rashicës

    Reporteri
    17 Tetor 2019 | 19:57

    Milot Rashica sot po shkëlqen në arenën ndërkombëtare ku është bërë yll te Werder Bremen si dhe te Kombëtarja e Kosovës


    Milot Rashica karrierën e tij e nisi te Shkolla e Futbollit Kurda, ndërsa sot luan në nivele të larta, në një kampionat të fort si Bundesliga, raporton Reporteri.net

    Një video që është në Youtube që nga vitit 2012 shihet Miloti duke luajtur për Kurdën kundër 2 Korrikut.

    Reporteri ka kontaktuar me portierin e 2 Korrikut që mbrojti në atë takim, Edmond Krasniqin.

    Edmond Krasniqi në kohën kur ishte pjesë e 2 Korrikut

    Krasniqi tregon se skuadra e tij humbi 3-0 nga Kurda, derisa Miloti pati paraqitje mbresëlënëse duke ia shënuar edhe një super gol atij nga gjuajtja e lirë.

    “Po ka qenë një ndeshje ku qysh mundeni me pa edhe në video, Miloti ka qenë i jashtëzakonshëm, me driblime të shumta, pasime të gjata dhe ishte shumë e vështirë për t’ia marrë topin,” ka thënë Krasniqi për Reporterin.

    “Unë isha i befasuar me paraqitjen e tij ndaj skuadrës tonë dhe e dija që ai do të korrte suksese në të ardhmen pasi ishte dukshëm më i përgatitur se të tjerët edhe vërehej me lëvizjet që bënte se një ditë do të mund të arrinte majat e futbollit,” shtoi tutje Krasniqi, i cili tani nuk është më portier aktiv.

    I pyetur nga Reporteri për golin që ia kishte shënuar Rashica në këtë takim ai u përgjigjë kështu:

    “Miloti goditi në mënyrë perfekte gjuajtjen e lirë dhe unë nuk kisha mundësi që ta arrija topin. Nuk është se po tentoj të gjej arsyetime, por në këtë takim kam luajtur i lënduar,”

    Për fund, Edmondi që tani më nuk është portier aktiv në ndonjë klub ia dëshiron gjitha të mirat në karrierë Rashicës.

    “Unë uroj që Miloti të ketë suksese edhe më të mëdha në të ardhmen. Do të doja që ta shihja duke luajtur për Juventusin, që është edhe ekipi im i preferuar,” përfundoi Krasniqi. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!