Autor: Lirim Gashi
Menaxhimi i pandemisë kurqysh hiç, politika kërkah hiç, 200 euro një test, marrëveshja gati, Kosova po humb territor, blla, blla, blla. Shyqyr që sonte luan Kombëtarja e Kosovës dhe të paktën vëmendja kryesore do të jetë në Parma të Italisë aty ku djelmoshat tanë do të përballen me Moldavinë.
Sa keq, Vedati mungon këto dy lojë, Milotin s’po e lëshon Werderi sherri i Koronavirusit, as Hekurani me Benjaminin nuk po vijnë, qashtu edhe Herolindi me Elbasanin s’po dihet hala, a thu me çfarë formacioni ka me lujtë tash Bernard Challandes?
Këto kanë qenë sigurisht bisedat e tifozëve të Kosovës ditëve të fundit të cilët mezi presin që t’i shohin në aksion përsëri ‘Dardanët’.
Situata me pandeminë na ka vëshitrësuar punët në të gjitha aspektet, madje tani po ia shohim sherrin edhe në futboll pasi shumë yje të Kombëtares sonë nuk janë lejuar nga klubet e tyre që të vijnë në Kosovë, aty ku me 6 shtator do të luajnë me Greqinë.
Nejse, mos të mendojmë një herë për Greqinë, pasi kemi një punë për ta kryer sonte në Itali ku duhet të ballafaqohemi me ata që nuk pranuan që ne të luajmë në tokën e tyre.
Moldavia është pengesa e parë e Kosovës në Ligën e Kombeve për këtë edicion dhe fatmirësisht për këtë ndeshje shumica e lojtarëve janë lejuar që të vijnë në Kombëtare, edhe pse u desh të bëheshin shumë lutje në drejtim të klubeve të tyre, të cilët hezitonin që t’i linin të lirë shkaku që vendi ynë llogaritet me rrezikshmëri të lartë të infektimit me COVID-19, shkruan Reporteri.net.
Ka kaluar gati një vit që nuk i kemi parë heronjtë tanë në aksion. Ndeshja e fundit e luajtur në Prishtinë ishte spektakolare në të gjitha aspektet, përveç rezultatin, pasi Anglia na mposhti 4-0 në Fadil Vokrri.
Por, tani po nis një kapitull i ri në Ligën e Kombeve dhe Kosova është e etur edhe për një edicion të suksesshëm. Lufta do të jetë e vështirë, derisa beteja e parë mund të konsiderohet e lehtë.
E di që do ta keni vështirë të luani në një stadium të zbrazët, do të ju mungojnë ‘Dardanët’, por miliona ‘Dardanë’ do t’ju ndjekin nga televezioni dhe duan që t’i harrojnë hallet e shumta në këto kohë të vështira. Paçit fat sonte djema, përkujdesuni që ta shijojmë një mbrëmje të këndshme. Na nderoni me një fitore. Forca Kosova! /Reporteri.net/