Njëri prej futbollistëve që ka dalur nga futbolli i Kosovës dhe që po shkëlqen në arenën ndërkombëtare është Florent Hasani, i cili aktivizohet te skuadra elitare hungareze, Diosgyor.
23-vjeçari nga Vushtrria kishte arritur ta shpallte Trepçën’89 kampion të Kosovës, para se në fillim të vitit 2018 të transferohej te Diosgyori.
Sulmuesi që përfaqëson Kosovën ka arritur ta zë një vend në formacionin bazë të skuadrës hungareze, me të cilën është paraqitur në 28 ndeshje këtë edicion dhe ka arritur të shënojë pesë gola dhe të dhurojë dy asistime.
Pas pezullimit shkaku i pandemisë, kampionati elitar hungarez i futbollit rikthehet më 30 maj, derisa Hasani e ka për synim që ta ndihmojë skuadrën e tij ta zë një vend që dërgon në Ligën e Evropës.
Në një intervistë me Zëri.info, Florent Hasani ka folur fillimisht për periudhën e izolimit dhe stërvitjet individuale gjatë pandemisë me koronavirus.
“Këtë periudhë të vështirë e kam kaluar duke stërvitur. Ka qenë periudhë e vështirë, por gjëja pozitive është se kam stërvitur gjatë gjithë kohës me planprogramin që na ka dërguar klubi”, u shpreh fillimisht sulmuesi vushtrrias.
“Ka qenë e vështirë. Dy muaj kemi qëndruar pa stërvitje grupore dhe pa ndeshje, por e mira është se kampionati do të fillojë sërish”, tregon më tej Florent Hasani.
Tutje, Hasani tregoi se stërvitjet me Diosgyorin i kanë nisur që tre javë, derisa kampionati hungarez rikthehet javën e ardhshme.
“Stërvitjet i kemi filluar që tre javë me skuadrën, kruse kampionati do të rikthehet më 30 maj. Synimet janë që ta arrijmë pozitën që na dërgon në Ligën e Evropës”, theksoi Hasani, i cili shpreson që në verë të transferohet në ndonjë kampionat më të madh:
“Sa i përket ndryshimit të skuadrës, do ta shohim gjatë afatit kalimtar veror”.
Hasani nuk ka hezituar të flasë as për gjasat e Përfaqësueses së Kosovës për kualfiikimin në Kampionatin Evropian ‘Euro 2020’ duke pasur para vetes ndeshjen historike me Maqedoninë e Veriut në Shkup.
“Gjasat janë të mëdha ta fitojmë atë ndeshje. Është një rast i artë për ne dhe duhet ta shfrytëzojmë dhe shpresoj që sa më shpejt të vendoset data e saktë e ndeshjes. Kam kontaktuar edhe me trajnerin Bernard Challandes gjatë kësaj periudhe”, nënvizoi ish-futbollisti i Trepçës’89 dhe Vushtrrisë.
Për fund, Hasani ka folur edhe për Superligën e Kosovës dhe gjasat për titull, duke përmendur katër skuadrat kryesuese – Ballkani, Drita, Gjilani dhe FC Prishtina.
“E përcjelli vazhdimisht Superligën e Kosovës. Mendoj që edhe cilësia është ngritur në kampionat dhe këtë vit është interesant me skuadrat që po luftojnë për titull. Mendoj se katër skuadrat e para nga gjasa për titull dhe ajo skuadër që do të jetë më e përgatitur fizikisht, do të fitojë titullin kampion”, përfundoi Florent Hasani.