Federata Shqiptare e Futbollit është e tronditur për vdekjen e futbollistit Raphael Dwamena. Ai pësoi sulm gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit, të shtunën.
Ganezi Dwamena ishte pjesë e rëndësishme e Egnatias.
“Futbollisti Raphael Dwamena ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve në fushën e lojës është transportuar me ambulancë për në spital. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve specialistë dhe të gjitha përpjekjeve të mëpasshme për ta rikthyer në jetë, futbollisti për fat të keq ka ndërruar jetë. FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar”, thuhet në komunikatën e FSHF-së.
Në Shqipëri janë shtyrë të gjitha ndeshjet e fundjavës.
“Federata e Futbollit bën me dije se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë”.
Ndërkaq, Policia ka raportuar se futbollisti i Egnatias është transportuar në spitalin e Kavajës, por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën.
“Në stadiumin “Arena Egnatia”, ku po zhvillohej ndeshja e futbollit të ligës “Abisnet Superiore”, midis ekipeve Egnatia dhe Partizani, në minutën ‘23-‘24, futbollisti i ekipit Egnatia, shtetasi R. D., 28 vjeç, kapiten i këtij ekipi, është ndjerë keq dhe ka rënë në tokë, pa ndjenja.
Menjëherë, janë futur në fushë, mjekët e ekipeve dhe autoambulanca, dhe futbollisti është transportuar në spitalin e Kavajës, por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit, gjatë ndeshjes”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.