×
  • Sport
  • Sport

    I shau tifozët, pas kritikave të shumta, vijnë edhe përkrahjet për Xhakën

    Reporteri
    29 Tetor 2019 | 9:11

    Në mesin e reagimeve të shumta pas nervozizmit që Granit Xhaka e shfaqi me tifozët e Arsenalit – përveç shumë kritikave për mesfushorin 27-vjeçar – ka pasur edhe përkrahje për të nga persona që e cilësojnë veprimin e tij të arsyeshëm.


    Mesfushori shqiptar i Zvicrës, i cili është zgjedhur kapiten i Arsenalit me gjithë kritikat e shumta së fundmi, u nxor nga loja e së dielës në minutën e 61-të nga trajneri Unai Emery, për t’i lënë vend Bukayo Sakas, pak pas golit të barazimit të vizitorëve, shkruan Express.

    Xhaka u përcoll jashtë fushës me fishkëllima të shumta të tifozëve të vet. Kjo bëri që ai ta humbë pusullën dhe ta heqë shiritin e kapitenit dhunshëm, para se ta lëshonin nervat plotësisht.

    Ai reagoi ndaj tifozëve duke i sharë: “Ik pi***uni” dhe duke e hedhur fanellën në tokë rrugës drejt tunelit për në zhveshtore.

    Sjellja e tij, si kapiten i sapoemëruar, ka ngjallur reagime të mëdha në Angli. Shumë ish-yje të Arsenalit dhe tifozë të klubit londinez kanë mbetur të habitur me Xhakën, të cilin e kritikuan ashpër për reagimin tërbues.

    Megjithatë, Xhaka ka gjetur edhe mbështetje në mesin e tifozëve, ish-lojtarëve e gazetarëve të futbollit.

    “Nuk e fajësoj Xhakën për atë që bëri. Aspak. Qesharake që të ashtuquajturit tifozëve e abuzojnë një lojtar në atë mënyrë dhe qajnë e ankohen kur ai ua kthen”, ka shkruar gazetari i DailyMail, Oliver Holt.

    “Granit Xhaka: Abuzohet dhe ofendohet pamëshirshëm, i dërgohen kërcënime për vrasje, i ngacmohet gruaja shtatzënë, detyrohet të mos i lejojë komentet në rrjetet e tij sociale, fishkëllehet nga ata që supozohet të jenë tifozë të Arsenalit. Nuk më intereson çfarë thoni, reagimi i tij është i arsyeshëm”, shkroi tifozi i Arsenal @F_Bhoy.

    Xhaka pritet të rikthehet në stërvitje me ekipin të martën para ndeshjes së Arsenalit kundër Liverpoolit në rrethin e katërt të Carabao Cup të mërkurën, transmeton Gazeta Express.

    Ndërkohë, Federata e Futbollit e Anglisë (FA) nuk do të marrë asnjë veprim ndaj Xhakës, pasi ai u pa duke i sharë dhe duke bërë me gjeste ndaj tifozëve të Arsenalit, të cilët e fishkëllyen.

    Xhaka, i cili ka shkaktuar më shumë faulle (22) se çdo futbollist tjetër në Premierligë këtë sezon, është zëvendësuar tri herë në nëntë ndeshje deri tani në ligë.

    Për momentin nuk dihet nëse Arsenali është duke menduar t’ia heqë shiritin e kapitenit mesfushorit shqiptar të Zvicrës.

    I pyetur pas ndeshjes nëse Xhaka do të mbetet kapiten i Arsenalit, trajneri Unai Emery tha: “Nuk është tani koha të flitet për këtë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!