Arb Manaj ka qenë foshnje kur babain e tij e vranë në luftë. I rritur në Klinë nga nëna e tij dhe me fotografitë e babait, i cili ishte 25 vjeçar kur u vra nga forcat serbe, Arbi, si shumica e fëmijëve të pasluftës në Kosovë, pasion e kishte futbollin.
Talenti dhe pasioni bënë që ky futbollist tashmë 20 vjeçar, të merret profesionalisht me futboll, kurse dje për të ishte ditë e veçantë.
Ai shënoi golin e dytë për Trepçën’89, duke e barazuar rezultatin 2:2, në takimin që ekipi mitrovicas e fitoi ndaj Vëllaznimit dhe siguroi mbetjen në Superligë të Kosovës edhe për një edicion.
Arbi golin ia kushtoi babait të tij dhe këtë e dëshmoi me porosinë që e mbante nën fanellën e klubit, të cilën e tregoi me aq krenari.
Tregimi i tij është si i shumë fëmijëve në Kosovë, që lufta i ka lënë pa familjarë dha ua ka rrëmbyer fëmijërinë normale.
Por, vullneti dhe karakteri i tij duhet të jenë model për të rinjtë në Kosovë dhe jo vetëm.
Për ndeshjen e djeshme dhe për futbollin e Kosovës ka shumë tregime që nuk i bëjnë nder askujt, por, tregimi i Manajt duhet të jetë inspirimi pse njerëzit e duan futbollin e sportin.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.