Igli Tare është një nga ata që nuk dëshiron që futbolli të mbyllet këtu.
Drejtori sportiv i Lazios ka ngritur zërin më shumë se kurrë dhe përmes një lidhje direkte me Top Channel, ish-sulmuesi i Kombëtares ka deklaruar se ka kërkuar që në Seria A të zbatohet një protokoll i ngjashëm sanitar me të Shqipërisë.
Sipas Tares s’është e nevojshme të karantinohet e gjithë skuadra nëse një lojtar apo pjesëtar i stafit rezulton i prekur nga Coronavirusi.
“Do të jetë një fatkeqësi sociale nëse mbyllet futbolli. Shumë muaj pasiviteti do të ishte e rrezikshme. Kushdo që thotë se duam të vazhdojmë kampionatin vetëm për interes personal nuk ka kuptuar asgjë. Futbolli i mban 370 mijë njerëz, nëse ndalet do të jetë një dështim. Ata na kanë zili ne dhe kush mendon se futbolli është vetëm Serie A, por nga ana tjetër ka mijëra njerëz dhe familje që punojnë, ne kemi për të detyrë t’i mbrojmë.
Nuk mendoj se Ministri Spadafora ka ndonjë qëllim të keq, por me siguri që ka Qeveri në Europë të cilat duan të ndihmojnë futbollin: Gjermania, Spanja dhe Anglia. Në Itali nuk është ky rasti, as në Francë ku ata kanë bllokuar gjithçka përfundimisht. Madje unë mendoj se qeveria franceze do të humbasë shumë çështje me klubet. Njerëzit janë nervoz dhe futbolli është terapia e tyre. Topi mund të jetë shenja e parë e jetës që fillon përsëri”, u shpreh drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare.