Yury Maisevich, ish-trajneri i atletes bjelloruse Krystsina Tsimanouskaya, është pezulluar nga sporti për pesë vjet nga Njësia e Integritetit të Atletikës (NJIA), e cila i hetoi dyshimet se ekipi i trajnerëve të Tsimanouskayas kishte tentuar ta detyronte atë të kthehej në shtëpi gjatë Lojërave Olimpike në Tokio më 2021, pasi ajo i kishte kritikuar ata, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Maisevich ndërmori veprime të cilat “ia fyen qartazi dinjitetin atletes” dhe ishin shkelje e detyrës, tha NJIA në një komunikatë më 28 shkurt.
Tsimanouskaya, e cila tani e përfaqëson Poloninë në garat ndërkombëtare, tha se ishte dërguar me forcë në një aeroport, pasi nuk kishte pranuar t’u bindej urdhrave të ekipit gjatë Olimpiadës më 2021.
Tsimanouskaya kishte dezertuar në Poloni bashkë me bashkëshortin e vet në vitin 2021.
Gjendja e vështirë e atletes 26-vjeçare u bë lajm i madh nga Lojërave Olimpike Verore të Tokios dhe e ktheu vëmendjen ndërkombëtare kah shtypja në Bjellorusi, një vit pasi kishin shpërthyer protestat kur lideri Alyaksandr Lukashenka e shpalli fitoren në zgjedhjet e kontestuara presidenciale në gusht 2020.
Disa protestues janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar gjatë protestave masive që kërkonin dorëheqjen e Lukashenkas.
Në vitin 2021, djali i Lukashenkas, Viktar, e mori drejtimin e Komitetit Kombëtar Olimpik të Bjellorusisë nga babai i tij, një vendim të cilin nuk e njohu Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON).
Po ashtu, në gusht 2021, një trajner i klubit të hendbollit Vitsyaz në Minsk, Kanstantsin Yakauleu, iku në Ukrainë pak javë pasi i kreu 15 ditë burgim, për shkak se kishte marrë pjesë në një protestë kundër Qeverisë.
Atletja bjelloruse Yana Maksimava dhe burri i saj Andrey Krauchanka, fitues i medaljes olimpike, njoftuan në atë kohë se kishin vendosur të qëndrojnë në Gjermani me fëmijën e tyre, për shkak të shtypjes në Bjellorusi.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.